Fyerje dhe tensione mes këshilltarëve në KK të Skenderajt

Seanca e së martës e Kuvendit Komunal të Skenderajt është karakterizuar me tensione dhe mjaft fyerje ndërmjet këshilltarëve. 

Lajme

29/04/2014 19:57

Këshilltarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajnishahe Halimi i ka vlerësuar si fyerje ndaj saj dhe ndaj të gjitha grave kuvendare fjalët e Ukshin Lushtakut, këshilltar nga radhët e PDK-së, i cili tha “se me gra duhet me fol shkurt”, duke aluduar në Ajnishahen, e cila kërkonte përgjigje në disa pyetje që i kishte bërë.

Si raporton KosovaPress, Halimi ka shpërthyer me një fjalor edhe më të ashpër ndaj Lushtakut. “Kështu shko e fol me gruan tënde. Kjo është fyerje për mua, dhe jo veç për mua, por për të gjitha gratë, majmun. E ke mësu një mesele, e del e thua këtu, por ti nuk di më shumë, kaq din ti. Ti as odë nuk ke pas kurrë. Ti je një kurrkushi, majmun je ti,..”, ka thënë ajo.

E përpara se të fliste Lushtaku, Halimi pati një debat edhe me nënkryetarin Fadil Nura, por edhe me këshilltarët Shahin Tahiri e Miftar Ramadani, të cilët kërkuan nga kryesuesi Ismet Salihu që të mos i japë hapësirë asaj për të folur.

“Nuk mund të merremi këtu vetëm me një njeri, duhet të ecim me mbledhjen, mos të vonohemi”, tha Tahiri, ndërsa Ramadani, u shpreh për ata që kundërshtonin raportin për shpenzimin e buxhetit për tre muajt e parë të vitit, “se nuk e kuptojnë gjuhën ekonomike”.

“Ti, Shahin nuk ke nevojë këtu me thanë as për një njeri, as për dy, mundesh me diskutu e mos mu marrë me mua, ndërsa ti Miftar e njeh fort gjuhën ekonomike”, ka ironizuar Halimi.

Propozimi i Ajnishahe Halimit, që në rend të ditës të futet pika, në të cilën do të diskutohej për propozimin që Çerdhes së Fëmijëve “Drita” t’i ndryshohet emri në “Zahide Jashari”, nuk ka kaluar.

Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura sqaroi se me Ligjin për arsimimin parauniversitar janë zyra e Kryetarit të Komunës dhe Drejtoria e Arsimit që mund të kërkojnë nga MASHT-i emërtimin e institucioneve edukative e arsimore. (KosovaPress)