Fushë Kosovë pa ngrohje qendrore, komuna premton zgjidhje
Fushë Kosovë, si një nga komunat me numër të madh banorësh dhe zhvillim të vazhdueshëm urban, vazhdon të përballet me mungesën e ngrohjes qendrore, problem që po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, veçanërisht gjatë dimrit. Qytetarët shprehen se mungesa e ngrohjes qendrore i detyron të përdorin energjinë elektrike ose peletin për ngrohje,…
Lajme
Fushë Kosovë, si një nga komunat me numër të madh banorësh dhe zhvillim të vazhdueshëm urban, vazhdon të përballet me mungesën e ngrohjes qendrore, problem që po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, veçanërisht gjatë dimrit.
Qytetarët shprehen se mungesa e ngrohjes qendrore i detyron të përdorin energjinë elektrike ose peletin për ngrohje, alternativa këto të cilat janë gjithnjë e më të kushtueshme. Sipas tyre, rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike po e rëndon edhe më shumë buxhetin familjar.
“Ngrohja na kushton shumë, sepse çmimi i rrymës është i lartë dhe po shtrenjtohet çdo ditë. Kjo vështirësi nuk është vetëm për Fushë Kosovën, por për të gjithë qytetarët,” shprehet një banor.
Një qytetar tjetër thekson se ngrohja qendrore do të ishte një lehtësim i madh për familjet. “Ne ngrohemi me pelet, por edhe ai është i shtrenjtë, njësoj si rryma. Të dyja janë të kushtueshme, megjithatë po ia dalim falë ndihmës së fëmijëve,” thotë ai.
Nga ana tjetër, institucionet komunale bëjnë të ditur se janë duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete. Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka deklaruar se gjatë këtij muaji pritet të shpallet tenderi për konsulencë dhe dizajn të projektit të ngrohjes qendrore.
Sipas tij, zbatimi i projektit pritet të nisë vitin e ardhshëm, ndërsa në fazën e parë do të përfshihen qyteti i Fushë Kosovës dhe lagjet Nakaradë dhe Bresje. Projekti do të financohet kryesisht nga buxheti i komunës, me mbështetje nga niveli qendror dhe donatorët.
Prebreza ka shpjeguar se projekti parashihet të realizohet përmes kogjenerimit, duke krijuar një lidhje direkte me KEK-un për furnizim me energji termike, me mundësi kyçjeje nga Kosova A. Vendimi përfundimtar do të merret pas përfundimit të studimit të fizibilitetit.
Autoritetet komunale shpresojnë se realizimi i këtij projekti do të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme dhe do të ulë ndjeshëm kostot e ngrohjes për qytetarët në të ardhmën.