Fushë-Kosova pa pediatër e gjinekolog e me numër të vogël të stafit
Pak kilometra larg Prishtinës, banorët e komunës së Fushë Kosovës tash e sa kohë kanë mbetur pa shërbime të pediatrisë e gjinekologjisë. Këtë shërbim tashmë janë të obliguar ta ofrojnë mjekët familjarë. Në Fushë Kosovë, njësia e pediatrisë nuk funksionon. Po ashtu as gjinekologjia. Për pasojë shumë pacientë, nuk mund të marrin këto shërbime nga…

Lajme
Pak kilometra larg Prishtinës, banorët e komunës së Fushë Kosovës tash e sa kohë kanë mbetur pa shërbime të pediatrisë e gjinekologjisë. Këtë shërbim tashmë janë të obliguar ta ofrojnë mjekët familjarë.
Në Fushë Kosovë, njësia e pediatrisë nuk funksionon. Po ashtu as gjinekologjia. Për pasojë shumë pacientë, nuk mund të marrin këto shërbime nga pediatri dhe gjinekologu në këtë komunë dhe në shumë te tjera për shkak të një udhëzimi nga Ministria e Shëndetësisë.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Osman Maxhera, theksoi për RTK se pacientët këto shërbime mund t’i marrin te mjeku familjar por që mungesa e stafin në këtë komunë po e vështirëson akoma më shumë gjendjen.
“Tash për neve është e rëndë sepse kemi mungesë të stafit e kjo po e rëndon më së shumti se sa vet mungesa e pediatrit dhe gjinekologut. Sikur të kishim pas staf të mjaftueshëm, e kishim respektuar edhe udhëzimin edhe qytetarët ishin mësuar”, tha Osman Maxhera- drejtor i QKMF-së, Fushë Kosovë.
Kurse Mimoza Shala- Kolshi, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Fushë Kosovë, thotë se kjo situatë ka prekur edhe këtë komunë por qe udhëzimi duhet të respektohet.
“Fatkeqësisht çdo ditë po ballafaqohemi me presionin e qytetarëve sepse nuk ka pediatër dhe gjinekolog Pediatri ka shku në pension dhe gjinekologu ka kaluar në një institucion privat. Duke u bazuar në udhëzimin administrativ 04/2020, neni 15, paragrafi 1, aty caktohen ato pozita që lejohen në kujdesin parësor shëndetësor. Në komunat që kanë maternitet dhe spitalet e lindjes, lejohet gjinekologu dhe pediatri. Ne nuk e kemi , ish dashtë me pas gjinekologji dhe pediatri, por do të kërkoj që të paktën të kemi si konsulent pediatrin dhe gjinekologun”, tha Mimoza Shala-Kolshi- drejtoreshë e Shëndetësisë në Fushë Kosovë.
Megjithatë, Kolshi bëri të ditur se është hapur një konkurs për angazhimin e stafit shtesë shëndetësor që pritet për një kohë ta zbusë sadopak këtë situatë të mungesës së mjekëve, pediatrit dhe gjinekologut.