FSK përmbyll me sukses dy kurse të avancuara me mbështetjen e Ushtrisë Amerikane

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj, Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses “Kursin për Staf të Betejës” dhe “Kursin për Rreshter të Drillit”, të organizuara dhe realizuara nga Ekipet e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SATMO). “Kursi…

Lajme

18/10/2025 16:50

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj, Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses “Kursin për Staf të Betejës” dhe “Kursin për Rreshter të Drillit”, të organizuara dhe realizuara nga Ekipet e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SATMO).

“Kursi për Staf të Betejës” kishte për qëllim zhvillimin e nënoficerëve të FSK-së në kuadër të Procesit të Vendimmarrjes Ushtarake (PVMU), forcimin e koordinimit të funksioneve luftarake dhe ngritjen e kapaciteteve të komandimit dhe kontrollit në nivel batalioni dhe brigade, transmeton lajmi.net.

Nga ana tjetër, “Kursi për Rreshter të Drillit” kishte si synim trajtimin e pjesëtarëve të FSK-së për t’u përgatitur si instruktorë të drillit, me përgjegjësi për formimin e rekrutëve në ushtarë të disiplinuar, fizikisht të përgatitur dhe të aftë në taktika.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar angazhimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ushtrinë Amerikane, duke theksuar se ngritja e kapaciteteve përmes trajnimeve të tilla është kyçe për profesionalizimin dhe ndërveprueshmërinë e FSK-së me forcat partnere.

“Përmes këtyre kurseve po ndërtojmë një forcë më të aftë, më të disiplinuar dhe më të gatshme për të përmbushur misionin e saj,” ka deklaruar Maqedonci./lajmi.net/