FSK nuk lejon që KFOR-i të ja marrë meritat
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot kanë ndihmuar në evakuimin e udhëtarëve të një autobusi të linjës Gjilan – Prishtinë. Mediat kishin raportuar se ky intervenim është kryer nga KFOR-i, por FSK përmes një njoftimi ka bërë të ditur se intervenimi ishte kryer prej tyre.

Lajme
Një autobus i linjës Gjilan-Prishtinë sot në mëngjes kishte dalë nga rruga. Udhëtarët për të cilët raportohet se nuk kanë pësuar lëndime të rënda, janë ndihmuar nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por mediat kishin raportuar se ndihma ishte dhënë nga forca paqeruajtëse e KFOR-it.
FSK ka reaguar përmes një njoftimi, duke e sqaruar këtë situatë.
“Qëllimi i këtij njoftimi është informimi i drejtë i opinioninit të gjerë, pasi disa portale elektronike gabimisht kanë njoftuar; se aty kanë rastisur pjesëtarët e KFOR-it, por e vërteta është, se ata janë të FSK-së”.
“Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se sot në mëngjes, pjesëtarët e saj në mënyrë profesionale kanë nxjerr udhëtarët nga autobusi i linjës Gjilan-Prishtinë, firma “Egnatia”, i cili ka dalë jashtë rrugës, në vendin te Llabjani”.
“12 pjesëtarë të FSK-së, të Batalionit të Parë të Brigadës për Reagim të Shpejtë në Gjilan dhe të Ministrisë së FSK-në, si dhe Policia e Kosovës), të cilët në mënyrë shumë profesionale kanë reaguar duke i nxjerrë udhëtarët nga autobusi, madje disa i kanë dërguar edhe vetë në Spital (Emergjencë) në Prishtinë, për trajtim të mëtejmë, na njoftoi nënkolonel Bafti Lubishtani, oficer stafi në Drejtorinë e Operacioneve në Ministrinë e FSK-së, i cili ka qenë edhe vetë prezentë në vendngjarje”, thuhet në njoftim.