Franca barazon, por mbetet e para
Franca luajti pa gola me Ekuadorin por prapë u kualifikua si e para nga Grupi E në Kampionatin botëror në Brazil. Trekolorët do të luajnë kundër Nigerisë.

Sport
Franca nuk e bëri atë që pritej, por prapë u kualifikua nga pozita e parë e Grupit E në Kampionatin botëror.
Trekolorët barazuan pa gola me Ekuadorin, ndonëse nga minuta e 50-të luajtën me një futbollist më shumë pas përjashtimit të mesfushorit Antonio Valencia.
Mirëpo, skuadra e Didier Deschamps nuk e shfrytëzoi avantazhin numerik dhe ndau pikët me Ekuadorin, rezultat që u shkoi në favor pasi aq u mjaftonte për të siguruar pozitën e parë në grup.
Në fazën tjetër, Franca do të ndeshet me Nigerinë. Kurse, Ekuadori u eliminua edhe për faj të Xherdan Shaqirit që realizoi het-trik në fitoren e Zvicrës kundër Hondurasit. Franca e fitoi grupin me shtatë pikë, Zvicra doli e dyta me katër ndërsa Ekuadori u eliminua me tri. Hondurasi u përshëndet pa pikë.