Fotot të Murit të Berlinit, në 25 vjetorin e shkatërrimit të tij

Gjermanët filluan të premten festën treditore në shënim të 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, që shënon ribashkimin e Gjermanisë, të ndarë pas Luftës së Dytë Botërore. 

Bota

07/11/2014 14:03

Muri që u ndërtua më 13 gusht 1961, u shkatërrua më 9 nëntor 1989, por edhe sot e kësaj dite imazhet e vuajtjeve pas ndarjes së Gjermanisë, Lindore dhe asaj Perëndimore, mbetën të freskëta.   

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e rritur në Gjermaninë komuniste (lindore), do të jetë prijëse e ceremonisë përkujtimore për ata që u vranë duke u përpjekur që të largohen nga shteti shtypës.

Kancelarja Merkel ka thënë se ajo kurrë nuk do të harrojë ditën e 9 nëntorit 1989, për të cilën siç ka thënë ajo, gjermanët është dashur të presin plotë shumë vjet.

Muri i Berlinit u ndërtua nga qeveria komuniste e Gjermanisë Lindore nën dirigjimin e ish Bashkimit Sovjetik, me qëllim që të parandalohej kalimi i mundshëm i emigrantëve nga blloku lindor në Perëndim.

Muri, barrierë prej betoni, ishte i lartë gati tre metra dhe përshkonte gjithë Berlinin duke e ndarë më dysh për 28 vjet.

Në këtë mur ishin vendosur dhjetëra kulla vrojtimi dhe dyer kalimi, përfshi edhe të famshmen “Pikëkalimi Çarli”, që konsiderohej si porta e hekurt midis dy botëve të kundërta përgjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë.

Por shkatërrimi i këtij muri shënoi fillimin e krisjes së komunizmit në Evropë dhe mbetjen e tij në histori.

Festa e ribashkimit të dy shteteve gjermane do të përmbyllet me 9 nëntor me një festival të madh që do të mbahet në Berlin, që pritet të përcillet me miliona pjesëmarrës, jo vetëm gjermanë.