Formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re nuk ndikohet nga ankesat në Kushtetuese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor, pa pasur nevojë të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në rast se në këtë instancë subjektet politike dërgojnë ndonjë ankesë, thonë njohës të çështjeve juridike kushtetuese.

Lajme

13/11/2019 15:24

Pas përfundimit të procedurave dhe rinumërimit të votave, sipas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme, me certifikimin e rezultateve mund të fillojë konstituimi i institucioneve të reja, thonë ekspertët.

Aktualisht, ankesat e subjekteve politike kanë mbërritur vetëm në instancat e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa dhe Gjykatës Supreme.

Ndërkaq, koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë kishte paralajmëruar se do t’i drejtohej edhe Gjykatës Kushtetuese nëse kërkesat e këtij koalicioni nuk trajtohen drejtë nga dy instancat e para.

Profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultati përfundimtar, nuk ka nevojë të pres ndonjë ankesë apo vendim eventual të Gjykatës Kushtetuese.

“Sa u përket ankesave, përkitazi me procesin elektoral zgjedhor të 6 tetorit deri në Gjykatën Supreme shkojnë ato. Dhe pasi të përfundojnë ato (ankesat), absorbohen trajtohen, pranohen ose refuzohen dhe kalojnë afatet e caktuara, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar ta bëjë certifikimin e rezultatit dhe nuk është i detyruar të pres ndonjë parashtresë se si do të përfundojë lënda në Gjykatën Kushtetuese”, tha Baraliu.

“Sa i përket procesit ankimor, nga KQZ-ja në PZAP dhe nga PZAP-ja në Gjykatën Supreme, aty përfundohet procedura administrative e trajtimit të çështjeve elektorale dhe ankimeve elektorale. Pra, nuk ka ndikim nëse çështja vazhdohet, sa i përket certifikimit të rezultateve dhe konstituimit të organeve, qoftë atyre legjislative, qoftë atyre ekzekutive në Republikën e Kosovës”, thekson Baraliu.

Ai rikujton se në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vitin 2017, ka pasur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, por deri në epilogun përfundimtar të Gjykatës, institucionet e reja janë formuar.

Baraliu rikujton rastin e zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës në garën në mes Arban Abrashit të Lidhjes Demokratike dhe Shpend Ahmetit, atëherë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, kurse aktualisht kryetar i Partisë Socialdemokrate, lëndë kjo që kishte zgjatur me muaj në Kushtetuese, por ndërkohë kishte vazhduar procedura e konstituimit të organeve lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur tashmë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor. Rezultati u shpall më 7 nëntor, por ai nuk është certifikuar ende pasi që tani duhet të pritet edhe faza e ankesave dhe shqyrtimeve të tyre.

Pas ankesave të disa subjekteve politike, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të bëjë anulimin e votave nga Serbia dhe njëherësh të rinumërohen 1472 vendvotime.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, është bërë e ditur se tre deputetë të LVV-së kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, pa e specifikuar se për cilin vendim të PZAP-së bëhet fjalë.

Gjykata Supreme, ka kohë 72 orë për të vendosur për ankesat eventuale.

Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thotë se procesi i rinumërimit të votave do të fillojë të mërkurën.

“KQZ-ja ka marrë konfirmimin nga institucioni përkatës se nuk ka ndonjë ankesë që është paraqitur lidhur më vendimin e PZAP-it, që e urdhëron KQZ-në të bëjë rinumërimin e rreth 1500 vendvotimeve”, tha Elezi.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e kështu me radhë. Çështje diskutabile, ndërkaq mbetet nëse koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e kalon pragun prej pesë për qind, për të fituar ulëse gjatë mandatit të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës.

Nga komunitetet pakicë, Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb, kurse 10 ulëse tjera të garantuara u janë ndarë komuniteteve joserbe.