Forcat e Armatosura në bashkëpunim me aleatët

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se Kosova në një periudhë të afërt kohore do të ketë Forcat e saj të Armatosura me standarde euro atlantike dhe në bashkëpunim me aleatët e saj.

Lajme

19/02/2014 16:31

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në një periudhë të afërt mujore apo javore, Kosova do të ketë forcat e veta të armatosura në përputhshmëri me standardet euroatlantike.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, i pari i ekzekutivit ka thënë  se rishikimi i strategjisë së sigurisë kombëtare të Kosovës është në fazën finale, e cila ndërlidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e FSK`së.

“Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës është duke punuar dhe është në përmbyllje të gjithë këtij procesi me zotimin se në të ardhmen shumë të afërt FSK do të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës si tërësi e forcave të armatosura të një vendi”

“I gjithë ky proces do të kalojë në agjendën qeveritare pasta edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do t`i marrë vendimet përkatës për ndryshimet kushtetuese”.

“Do të vazhdohet një bashkëpunim i ngushtë me aleatët tanë, por Kosova në këtë periudhë kohore në një të ardhme të afërt javore apo mujore do të ketë Forcat e veta të Armatosura në përputhshmëri, standarde dhe kritere, plotësisht euroatlantike dhe do të lëvizet menjëherë me hapin atë përfshirjes së Kosovës në partneritetin për paqe”.

Gjithashtu Kryeministri  Thaçi pret që projektligji të kalojë sa më shpejt nga Kryesia e Kuvendit në Kuvend, ndërsa beson se do ta përkrahin të gjitha grupet parlamentare në mënyrë që të fillojë implementimi i projektligjit.

Foto: Petrit Rrahmani, Lajmi.net

“ Dua të konfirmoj se ne kemi proceduar projektligjin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për në Parlamentin e Kosovës. Ligji për veteranët e UÇK`së përfshinë të gjitha dispozitat e përgjithshme”.

“Atë të fushëveprimit, përkufizimet e qarta që dalin nga ky projektligj, duke pasur parasysh kategorizimin e veteranëve të UÇK`së, i cili do të bëhet paralelisht me procedim dhe votim në Kuvend,duke përfshirë listat e veteranëve të UÇK`së.

“Pastaj do t`i kemi regjistrat e plotë të të gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pajisjen me dokumentet përkatëse, gjithashtu ky dokumentacion do t`i dorëzohet komisionit.

“Ky projektligj përfshinë edhe të drejtat në benificione për veteranët luftëtar të UÇK`së që përfshihen prej ditës së parë të angazhimit në luftë”.

“Realizimi i së drejtës në pension dhe benificione të tjera, pensioni personal i veteranit, shtesa në pensionin e pleqërisë,  lartësia e shumës së pensioneve, parashtrimi i kërkesës për pension, pensionet e trashëgimtarëve, e drejta në shërbime shëndetësore falas, e drejta e përparësisë në punësim, e drejta e udhëtimit, e drejta në riaftësim profesional, e drejta e stazhit të dyfishtë, përkujdesja për banim përparësia e pranimit në institucionet arsimore publike, lirimi nga pagesat administrative në shkollimin e  publik, vendosja në shtëpitë e personave të moshuar si dhe çështjet tjera që ndërlidhen me dispozitat e përgjithshme”.

Shpresojmë që ky projektligj do të kalojë shpejtë nga Kryesia e Kuvendit në Kuvend. Kam besim të plotë se ky projektligj do t`i ofrojë të gjitha grupet parlamentare në një qëndrim për të kaluar më shpejtë në mënyrë që të fillojë implementimi i këtij ligji”.