Fondi i Punësimit nuk rrezikon kursimet pensionale
Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka thënë se Fondi i Punësimit nuk rrezikon kursimet pensionale. Ai ka thënë se Fondi i kursimeve pensionale mund të investohen konform ligjeve që janë aktuale në treg.
Lajme
Ministri i Financave Besim Beqaj, ka thënë se Fondi i Punësimit do të krijohet nga mjetet financiare, aktualisht “të ngrira” jashtë vendit, sikur që është fondi i privatizimit. Kurse, Fondi i Kursimeve Pensionale nuk do të preket.
“Fondi i kursimeve pensionale, janë mjete të sektorit privat, kursime të njerëzve dhe ato mund të investohen konform ligjeve që janë aktuale në treg, e të cilat mundësojnë investimin në kuadër të rregullave që janë për fondet investive”, tha ai.
Këto komente ministri i Financave i ka bërë të mërkurën në një konferencë me gazetarë, ku ka folur për zhvillimet e fundit ekonomike në vend.
“Pas dy viteve angazhim ne javën e kaluar kemi pas ankandin e parë të shitjes së obligacioneve qeveritare, një ankand jashtëzakonisht i suksesshëm, i cili ka rezultuar me ndërtimin e letrave me vlerë, e të cilat janë obligacione me maturitet dyvjeçar”.
Beqaj tha po ashtu se në raport me vitin e kaluar të hyrat në Doganat e Kosovës janë më të mëdha, ndërsa ato tek Administrata Tatimore e Kosovës, janë për një milion euro më pak.
“Në raport me vitin e kaluar, tek Doganat e Kosovës kemi të hyra mbi 20 milionë më shumë, ndërsa tek Administrata tatimore, jemi një milion më pak”.