FMN del me raport për Kosovën: 2021 me rritje ekonomike prej 7.5%

16:04 | 12 Janar 2022

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin për Kosovën thotë se ekonomia e saj po rikthehet nga recesioni i saj më i thellë që kishte në një dekadë, e stimuluar nga shkalla e përmirësuar e vaksinimit, lëvizshmëria e shtuar, veprimet e politikave dhe mbështetja e jashtëzakonshme nga diaspora.

Pas tkurrjes me 5.3 për qind në vitin 2020, GDP-ja reale parashikohet të rritet me 7.5 për qind në vlerësimin për vitin 2021.

“Përgjigjja fiskale ndaj pandemisë siguroi rrugë shpëtimi për familjet dhe firmat, si dhe zbuti ndikimin nga goditja tek ata që u prekën më shumë nga pandemia. Pas një rikthimi të fuqishëm të të ardhurave, qëndrimi i politikës fiskale u shtrëngua në një pozicion pothuajse të balancuar në vitin 2021 nga një deficit prej afërsisht 8 për qind e GDP-së në vitin 2020”.

FMN thotë se inflacioni në vitin 2021 në Kosovë parashikohet të jetë rritur në më shumë se 5 për qind (nga viti në vit) për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, të cilat u kthyen në nivelet e tyre para pandemisë.

“Me rezerva të forta kapitali dhe likuiditeti dhe kredi të ulëta me probleme, sektori bankar ka qenë elastik në përgjithësi. Aktiviteti ekonomik parashikohet të rritet me 3.8 për qind në vitin 2022, i stimuluar pjesërisht nga rritja e fortë ekonomike në vitin 2021. Pasiguria rreth perspektivës mbetet e lartë dhe pandemia vazhdon të jetë rreziku kryesor për rënie”.

Kryeministri Albin Kurti rritjen ekonomike të vitit që lamë pas e ka cilësuar si ndër punët më të mira të qeverisjes së tij. Ai pati thënë se rritja ishte 9.9 për qind dhe pati thënë se nëse vazhdon ky trend i rritjes ekonomike, Kosova do të mund t’i afrohet Kroacisë.