Flasin nga Haga: Specialja e informuar për kërcënimet e Serbisë ndaj Dick Martyt

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është informuar dhe është në dijeni për kërcënimet që shërbimi inteligjent serb ia ka bërë ish-senatorit zviceran, Dick Marty, i cili që prej dhjetorit të vitit 2020 po vazhdon të jetojë në masa të rrepta sigurie nga autoritetet federale dhe kantonale zvicerane.

Lajme

13/04/2022 12:57

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar pas raportimeve të mediave zvicerane lidhur me kërcënimet ndaj Martyt, ndërsa nga Haga kanë thënë se përveç se janë në dijeni, ata mbeten “të fokusuar në zbatimin e mandatit” dhe se “nuk komentojnë çështje të tilla”, shkruan lajmi.net.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është në dijeni të raportimeve të mediave që ju po i përmendni. Zyra e Prokurorit të Specializuar mbetet e fokusuar në zbatimin e mandatit të saj dhe nuk komenton për çështje të tilla.”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së për lajmi.net.

Por, në anën tjetër, në përshkrimin e punës dhe juridiksionit Dhomave të Specializuara përmendet edhe raporti i Dick Martyt në të cilin pretendohej se në Kosovë kishin ndodhur krime të rënda të trafikimit me organe të qenieve njerëzore.

“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera sipas ligjit të Kosovës në lidhje me pretendimet e raportuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 7 janarit, 2011.”, thotë një përshkrim në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nëse shkohet edhe më tutje në drejtim të asaj se çfarë nënkupton juridiksioni i Speciales në lidhje me pretendimet e raportuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 7 janarit 211, atëherë shohim se ka të bëjë me hetimin e Task Forcës Speciale Hetimore (SITF) në raportin që mban titullin: “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve të qenieve njerëzore në Kosovë”.

Ky raport, i njohur më tutje në opinionin e gjerë si “Raporti i Dick Martyt”, pretendonte se në Kosovë ka pasur krime të luftës që përfshijnë edhe trafikimin e organeve, gjë në të cilën shihet se Gjykata Speciale është bazuar shumë gjatë themelimit të Dhomave të Specializuara.

Më tutje, në përshkrimin zyrtar që gjendet në uebfaqen e Dhomave të Specializuara mund të shihet se si raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Task Forca Speciale Hetimore kanë lidhje të ngushtë me themelimin e Dhomave të Specializuara.

“SITF, e cila ishte me seli në Bruksel dhe e financuar nga Bashkimi Evropian, kishte një mandat për të hetuar individë për krimet e supozuara në Raportin e PACE. Për të përforcuar pavarësinë dhe konfidencialitetin e procesit, SITF përbëhej ekskluzivisht nga staf ndërkombëtar. Hetimi zgjati deri në shtator të 2016 kur Zyra e Prokurorit të Specializuar mori përsipër personelin dhe mandatin e TFHS-së në bazë të dispozitave të Ligjit Special për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që u miratua nga Kuvendi i Kosovës në gusht 2015. Prokurori kryesor i SITF ishte ambasadori Clint Williamson, një ish-ambasador i SHBA-së për Çështjet e Krimeve të Luftës, i cili shërbeu me SITF midis shtatorit 2011 dhe gushtit 2014. Ai u pasua nga David Schwendiman në maj 2015, i cili u bë Prokurori i parë i Specializuar në shtator 2016”, thuhet në këtë përshkrim.

“Gjykata Speciale patjetër ta intervistojë Dick Martyn”

Nevenka Tromp, hulumtuese për 12 vjet e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, thotë se patjetër duhet që ish -senatori Dick Marty të jetë dëshmitar në Gjykatën Speciale.

Ajo beson se ish senatori zviceran, nuk doli kokë në vete në publik për të treguar se është i kërcënuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.

“Ai nuk e ka bërë këtë njoftim pa konsultim me policinë e Zvicrës”, thotë Tromp për RTK-në.

Ligjëruesja Tromp shprehet se Marty duhet të dëshmojë jo vetëm para mbrojtjes dhe prokurorisë, por edhe vetë gjyqtarëve sepse mbi bazën e raportit të tij, u krijua Gjykata Speciale.

Madje, për mundësinë që ai të jetë dëshmitar, Tromp beson se është shumë e shqetësuar edhe vetë Serbia, sepse do të dekonspirohej i gjithë angazhimi i saj për krijimin e Speciales.

“Shërbimi inteligjent i Serbisë është  i shqetësuar se Dick Marty mund të ketë thënë diçka apo do të thotë diçka për këtë plan të Serbisë, e cila me dekada po përpiqet ta prezantojë se UÇK-j ka qenë organizatë kriminale dhe me këtë e kanë kriminalizuar edhe vetë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës”, thotë Tromp.

Megjithatë, në këtë rast, duket se edhe vetë Dick Marty është i shqetësuar.

“Në një intervistë me Martyn nga mbrojta, prokuroria apo edhe gjyqtarët e Speciales, do t’i parashtroheshin të gjitha pyetjet, sepse personi i vetëm që do të jetë në gjendje t’u përgjigjet këtyre për Specialen dhe raportin e tij, është vetë Dick Marty”, tha Tromp.

Nevenka Tromp, e cila për 12 vjet hulumtoi punën e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, deklaron se perëndimi e pranoi lojën e krijimit të Dhomave të Specializuara që Serbia ta njohë Kosovën. Por pas kësaj, Beogradi është tërhequr nga bisedimet në Bruksel dhe i gjithë procesi është i vdekur.

Çfarë thotë hulumtimi i medias zvicerane dhe çfarë thotë Dick Marty?

Një hetim ekskluziv nga “Mise au Point” (Fokus) i Televizionit publik zviceran në gjuhën frëngezbulon se, që nga dhjetori 2020, Dick Marty është vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Ish-prokurori, deputet në Dhomën e Kantoneve nga (FDP/Ticino) dhe raportues për Këshillin e Evropës, ishte kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve inteligjente serbe, shkruajnë mediat zvicerane.

Sipas Dick Marty-t, “kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e “botës së krimit”. “Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”.

Në raportime thuhet se një burim konfidencial e ka informoi Myrtyn për elementët e mëposhtëm, sipas një dokumenti nga Ministria e Punëve të Brendshme: “Dick Marty duhet të vritet me urdhër të shërbimeve sekrete serbe, transmeton albinfo.ch. Vrasja e Dik Martit thuhet se iu besua burrave serbë që kanë kryer prej kohësh misione të tilla për shërbimin sekret serb dhe të cilët ishin trajnuar prej tyre si ‘profesionistë absolut’ që do ta zotëronin atentatin ‘pa lënë gjurmë’.

Për sulmin e planifikuar, një serb thuhet se ka kontrabanduar armë në Zvicër diku në dhjetor 2020, përcjell albinfo.ch. Për të përfituar nga vëmendja e shtypit lidhur me aktakuzën e Hashim Thaçit, vrasja duhet të paraqitet si t’i atribuohet qeverisë kosovare/shqiptare (ish-UÇK), për ta diskredituar atë ndërkombëtarisht”.

Cili është versioni i autoriteteve zvicerane dhe cila është situata e Dick Martyt?

Pas raportimeve nga mediat zvicerane, lajmi.net ka kontaktuar me autoritetet e shtetit atje, të cilat e kanë ndarë me mediumin një komunikatë të FedPol dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Autoritetet zvicerane kanë deklaruar se që nga dhjetori i vitit 2020 “duhej të konsiderohej një situatë serioze kërcënimi kundër z.Dick Martyt”. Më tutje ata sqarojnë se organe të ndryshme në nivel federal dhe kantonal janë përfshirë në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë.

Autoritetet zvicerane kanë deklaruar gjithashtu se organe të ndryshme në nivel federal dhe kantonal janë përfshirë në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë, për të siguruar ish-senatorin Dick Marty.

“Ne mund të konfirmojmë se që nga dhjetori i vitit 2020, duhej të konsiderohej një situatë serioze kërcënimi kundër z. Dick Marty. Përveç aspekteve të se drejtës penale, çështja përfshin edhe garancinë e sigurisë personale dhe, për shkak të kontekstit të supozuar transnacional, ka edhe komponentë politikë. Prandaj, organe të ndryshme në nivel federal dhe kantonal janë përfshirë në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë. Në këtë kontekst, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, FedPol dhe autoritete të tjera partnere kanë hartuar një sërë masash gjithëpërfshirëse.”, thuhet në këtë komunikatë, transmeton lajmi.net.

Gjithashtu, për të garantuar siguri, FedPol ka marrë masa mbrojtëse që përfshijnë edhe mbrojtjen e afërt në rastet kur Marty del nga shtëpia e tij dhe masa të tjera të mbrojtjes teknike në vendbanimin e tij.

Duke marrë parasysh që masat e sigurisë janë ende në funksion, autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me këtë çështje.

“Për të garantuar sigurinë, FedPol ka marrë masa të gjera mbrojtëse bazuar në vlerëzimet e rregullta të situatës, duke përfshirë sigurinë në afërsi të drejtpërdrejtë të z. Marty (kjo përfshin të ashtuquajturën mbrojtje të afërt kur shfaqet në hapësira publike ose masa mbrojtëse teknike në vendmbanimin e tij). Këto masa mbrojtëse janë zbatuar në bashkëpunim me policinë kantonale. Masat e sigurisë dhe mbrojtjes janë ende duke u zbatuar, prandaj – për të mos dëmtuar në mënyrë të panevojshme efiktivitetin e tyre – nuk bëhen të ditura detajet.”, thuhet në komunikatë.

BIA mohon të ketë lidhje me rastin, reagime të zbehta në Kosovë

Raportimet se Marty është kërcënuar nga shërbimi inteligjent serb kanë ngjallur reagimin e këtyre të fundit. Ata kanë mohuar se kanë lidhje me këto raportime dhe kanë mohuar të kenë kërcënuar ish-senatorin Marty, i cili po jeton në siguri të rreptë tash e 17 muaj.

Në anën tjetër në Kosovë, reagime ka pasur nga Partia Demokratike e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili foli për këtë çështje tek pasi u pyet nga gazetarët në një konferencë për media.

Në komunikatën e lëshuar nga Nisma Socialdemokrate thuhej se: “tërheqja publike e Dick Martyt nga shërbimi që i ka bërë shërbimit sekret serb që ka planifikuar edhe vrasjen e tij, është ndihma më e madhe që ai mund t’i japë drejtësisë.”.

Partia Demokratike e Kosovës doli me një konferencë për media lidhur me këtë çështje ku thanë se Serbia po vazhdon politikën e saj të njëjtë për njollosjen e luftës së UÇK-së dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës.

Kryeministri Kurti në anën tjetër u zotua se nëpërmjet ministrisë së Punëve të Brendshme të kontaktojnë dhe bashkëpunojnë me shtetin zviceran që kjo çështje të zbardhet deri në fund. /Lajmi.net/