Fjalë për ujë

Isa Mustafa prezantoi projektet e furnizimit me ujë të pijes, trajtimit të ujërave të zeza dhe furnizimit me ngrohje qendrore. Ai pat premtuar furnizim me ujë edhe në zgjedhjet e kaluara. Por, sot, pas katër vjetësh, Prishtina vuan për ujë.

Lajme

08/10/2013 13:44

Pretendenti për një mandat të tretë për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa i LDK’së, ka premtuar realizimin e projekteve të cilat, sipas tij, do ta rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve në Prishtinë.

Duke shprehur bindjen për fitoren e mandatit të ri, Mustafa prezantoi tri prej projekteve kapitale, atë të furnizimit me ujë të pijes, trajtimit të ujërave të zeza dhe furnizimit me ngrohje qendrore, të cilat, siç tha ai, do të realizohen dhe do të ndikojnë dukshëm në cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Prishtinës, por edhe të disa qyteteve përreth.

Mustafa theksoi se projekti për furnizimin me ujë të Prishtinës në vlerë të përgjithshme prej 62 milionë eurosh ka filluar të realizohet në vitin 2009 dhe pritet të përfundojë në vitin 2016, si grant i Bankës Gjermane për Zhvillim dhe Komisioni Europian.

Isa Mustafa pat premtuar furnizim me ujë edhe në zgjedhjet e kaluara. Por, sot, pas katër vjetësh, Prishtina vuan për ujë.

Sot, ai tha se për furnizimin me ujë të pijes, me planin zhvillimor urban 2013-2022 është paraparë ndërtimi i rezervuarve të ujit në Veternik, Mati III , Bardhosh dhe Shkabaj.

“Me një grant tjetër nga Komisionit Europian, në vlerë prej 2 milionë eurosh, Komuna e Prishtinës ka arritur ta kryejë studimin e fizibilitetit për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën. Studimi është përfunduar në vitin 2012 dhe do të përfshijë trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq. Kostoja e e përgjithshme e projektit është rreth 60 milionë euro”, tha Mustafa.

Duke folur për projektin tjetër të Komunës së Prishtinës për sigurimin e ngrohjes qendrore, që do të përfshijë shumicën e qytetarëve të Prishtinës dhe do të ketë kosto më të ulët për ta, Isa Mustafa tha se rrjeti aktual i Termokosit është i viteve 1970 dhe furnizon 12.000 konsumatorë.

Sipas tij, për realizimin e projektit, Komuna ka iniciuar projektin e kogjenerimit, i cili do të mundësojë nxjerrjen e nxehtësisë nga TC Kosova B dhe kyçja me sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.  Ai shpjegoi se kostoja e këtij projekti do të jetë 30.1 milionë euro, prej të cilave 13.8 milonë euro nga Komisioni Evropian,  11 milionë euro nga Qeveria Gjermane, 1.8 milionë euro nga Qeveria Suedeze, 1.5 milionë euro Qeveria e Luksemburgut dhe 2 milionë euro nga Komuna e Prishtinës

“Përparësitë e këtij projekti do të jenë deduktimi i kostos operative të prodhimit të ngrohjes me rreth 50%, zëvendësimi i mazutit me avullin e nxjerrë nga Termocentrali Kosova B, përmirësimi i cilësisë së ajrit për banorët e Prishtinës duke e reduktuar CO2 dhe gazrat e tjera të dëmshme, zvogëlimi i kërkesës për përdorim të energjisë elektrike për ngrohje, duke e reduktuar kësisoj shpenzimin e energjisë elektrike”, tha Mustafa.