“Fitorja u dedikohet atyre që derdhën lot e gjak për flamurin” – Myrto Uzuni rrëfen emocionet e triumfit historik ndaj Serbisë

Dikush mund të mendojë se shqiponjat aterojnë vetëm nga qielli, por djemtë e Kombëtares u përkujdesën që ajo të vinte direkt nga fusha. Myrto Uzuni për Telegrafin flet për emocionet, gëzimin dhe krenarinë që shoqëroi çdo moment të fitores historike ndaj Serbisë, formën e tij këtë sezon në MLS me Austin si dhe objektivat e…

Sport

24/10/2025 22:48

Dikush mund të mendojë se shqiponjat aterojnë vetëm nga qielli, por djemtë e Kombëtares u përkujdesën që ajo të vinte direkt nga fusha.

Myrto Uzuni për Telegrafin flet për emocionet, gëzimin dhe krenarinë që shoqëroi çdo moment të fitores historike ndaj Serbisë, formën e tij këtë sezon në MLS me Austin si dhe objektivat e tij me klubin.

Shqipëria mori fitore minimale me rezultat 1-0 në Leskovc falë golit të shënuar nga Rey Manaj, duke rritur ndjeshëm gjasat për kualifikim në fazën e ‘play-off-it’ për Kupën e Botës 2026.

Për Uzunin, ambienti armiqësor në shkallët e stadiumit dhe thirrjet anti-Kosovë nuk patën aspak ndikim, pasi në mendjen e tij dhe të bashkëlojtarëve ishte vetëm fitorja.

“Jam shumë i lumtur. Kisha kohë që prisja ndeshjen ndaj Serbisë sepse përfaqësonim të gjithë kombin tonë. Më në fund u shpërblye gjithë ajo djersë që kam derdhur ndër vite për fanellën e Kombëtares”.

“Thirrjet kundër shqiptarëve më motivonin jashtë mase, sepse e dija që po luaja për kombin tonë, për Kosovën, dhe nuk doja të humbisja asnjë duel”.

30-vjeçari merita të mëdha për fitoren ndaj Serbisë dhe për pozitën e Shqipërisë në grup i jep përzgjedhësit Sylvinho.

“Trajneri e dinte rëndësinë që kishte kjo ndeshje për ne, por ai reagoi me shumë disiplinë, si para ashtu edhe pas ndeshjes. Ai është shembull për seriozitetin dhe mënyrën si e menaxhon ekipin kombëtar dhe kjo po dëshmohet edhe në renditje”, tha ai.

“Kjo fitore është për të gjithë shqiptarët pa dallim, për të gjithë ata që kanë derdhur lot e gjak për këtë komb, për Shqipërinë e madhe”.

Në janar të këtij viti, Uzuni kompletoi transferimin nga Granada në MLS tek Austin FC. Ai thotë se adaptimi nuk ishte aspak i lehtë, por që u nda i lumtur me të arriturat e tij në nivel personal dhe kolektiv, teksa shtoi se tani objektivi i tij është titulli kampion.

“Ka qenë një vit shumë i suksesshëm për Austinin. Edhe pse më parë klubi nuk kishte arritur asnjë finale, këtë vit shkuam deri në finalen e Kupës dhe u kualifikuam në playoff. Klubi ka gjashtë vite që ekziston dhe vetëm një herë më parë kishte hyrë në playoff, ndaj mund të them se ishte një vit fantastik”.

“Fillimi nuk ishte i lehtë, adaptimi ishte i vështirë, sepse është një botë tjetër, një mentalitet ndryshe dhe lojtarë ndryshe, por e rëndësishme është që e mbyllëm me sukses për klubin”.

“Synimet për këtë sezon me Austinin janë arritur, por unë besoj te trofeu i madh. E dimë që ka ekipe shumë të forta si Los Angeles që tani kanë edhe Son që luante te Tottenhami, apo Inter Miami me emra të mëdhenj, por në futboll asgjë nuk është e pamundur”, përfundoi ai.