Fillon sezoni i korrje-shirjeve – Ministria del me njoftim për bujqit

Ka filluar sezoni i korrje-shirjeve të drithërave të bardha, për të cilën Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka dal me një njoftim. MBPZHR ka shkruar përmes një postimi në Facebook se për shkak të ndryshimeve klimatike që po ndodhin, duhet të shfrytëzoni kushtet atmosferike të favorshme dhe aty ku gruri ka arritur pjekjen…

Lajme

02/07/2024 16:41

Ka filluar sezoni i korrje-shirjeve të drithërave të bardha, për të cilën Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka dal me një njoftim.

MBPZHR ka shkruar përmes një postimi në Facebook se për shkak të ndryshimeve klimatike që po ndodhin, duhet të shfrytëzoni kushtet atmosferike të favorshme dhe aty ku gruri ka arritur pjekjen teknologjike ta bëni korrjen.

“Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të punëve, MBPZHR duke u bazuar në përvojat dhe koordinimin e përbashkët dhe të vazhdueshëm në vitet paraprake me drejtoritë Komunale për Bujqësi dhe Shoqatën e Mullisëve të Kosovës për monitorimin e procesit të korrje shirjeve propozon që edhe këtë vit, njëjtë si viteve të kaluara të vlejnë rekomandimet për të gjitha palët që janë të përfshira në këtë proces. Andaj Shërbimet Këshillimore të Kosovës për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ju ftojnë që të bashkëpunoni ngushtë me komisionet komunale për korrje shirje, si dhe me këshilltarët për bujqësi dhe zhvillim rural në komunat tuaja që të konsultoheni rreth kohës optimale për korrje shirjen e grurit tuaj”, thuhet në njoftim.
MBPZHR ka këshilluar fermerët që të mos fillohet me korrje shirjet para pjekjes së plotë të grurit, pasi që do të ketë humbje të grurit dhe ndikim në ulje të rendimentit mesatar, si dhe pikat grumbulluese nuk do ta pranojnë grurin nga fermerët nëse lagështia e grurit nuk është brenda normave optimale të lagështisë (12 -13 %).
“Ju rekomandohet pikave grumbulluese të grurit që t’i pajisin fermerët me dëshmi për dorëzimin e grurit në bazë të sasisë së dorëzuar. Këtë vit, bazuar në çmimin e tanishëm të derivateve, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, MBPZHR sugjeron që çmimi real i korrje shirjeve për vitin 2024 të jetë 130 €/ha, realisht ky është vetëm një propozim, pasi që çmimi caktohet me marrëveshje mes dy palëve fermerë dhe auto kombajner”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se mund të drejtoheni për çdo këshillë ose sugjerim në Qendrat Informative Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, secili në komunën e vet tek këshilltarët komunal që koordinohen me Departamentin për Shërbime Këshilluese.

Sipas Ministrisë këshilltaret janë të pajisur me njohuri dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me komisionet komunale për korrje shirjet., prandaj ata do të ju ndihmojnë në përcaktimin e kohës optimale, si dhe informata tjera të nevojshme për ketë proces final dhe mjaft të rëndësishëm të grurit.
“Për informata shtesë mund të kontaktoni këshilltarët komunal për bujqësi ku në secilën Komunë mund të lajmëroheni në Drejtorinë – Zyrën për Bujqësi, ose në Zyrën Qendrore të Shërbimit Këshillimor, në Departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike në MBPZHR, Rr. “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish Ramiz Sadikut, nr 120 Kati III, Prishtinë – Kosova, si dhe në tel. 383- (0)38 200 38 426”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Postimi i plotë: