FFK: Suksesi i Dritës dëshmon ngritjen e nivelit të futbollit kosovar
Kampionia e Kosovës, FC Drita, ka shënuar një sukses historik në arenën evropiane, duke u bërë klubi i parë nga vendi ynë që kalon raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Klubi gjilanas triumfoi edhe në ndeshjen e kthimit ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange 03, me rezultat 3:2, për të siguruar kualifikimin me rezultat…

Sport
Kampionia e Kosovës, FC Drita, ka shënuar një sukses historik në arenën evropiane, duke u bërë klubi i parë nga vendi ynë që kalon raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Klubi gjilanas triumfoi edhe në ndeshjen e kthimit ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange 03, me rezultat 3:2, për të siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4:2.
Hero i kualifikimit ishte sulmuesi Arb Manaj, i cili realizoi dy gola në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në Luksemburg, teksa vulën e fitores në ndeshjen e kthimit e dha Veton Tusha, në minutat shtesë. Të pranishëm në stadium ishin edhe një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve. Manaj e zhbllokoi rezultatin në minutën e 4-të pas asistimit të Liridon Balajt, ndërsa në minutën e 17-të e dyfishoi epërsinë me një tjetër finalizim të saktë.
Differdange reagoi në minutën e 28-të me golin e Theo Bruscos, duke ngushtuar disavantazhin. Në pjesën e dytë, djelmoshat e trajnerit Zekirija Ramadani menaxhuan mirë lojën, por në minutat e fundit pësuan gol nga penalltia, të cilën e realizoi Hadji. Paraprakisht Veton Tusha në minutën e 84-t pati një rast të pastër për gol, por edhe pse i vetëm para portierit gjuajti mbi portë. Mirëpo, në minutat shtesë Tusha tregoi klasin e tij dhe realizoi në mundësinë e dhënë, për ta vulosur fitoren dhe çështjen e kualifikimit.
Në reagimin e tyre, Federata e Futbolit të Kosovës këtë hap të Dritës e ka cilësuar si “kualifikim me vlerë të shumëfishtë për futbollin e Kosovës, pasi për herë të parë një klub kosovar arrin të kalojë këtë fazë në garën më prestigjioze për klube në Evropë
“Ky kualifikim ka vlerë të shumëfishtë për futbollin e Kosovës, pasi për herë të parë një klub kosovar arrin të kalojë këtë fazë në garën më prestigjioze për klube në Evropë, një dëshmi e ngritjes së nivelit të futbollit tonë”, thuhet në reagimin e FFK-s.
Në raundin e dytë, FC Drita do të përballet me skuadrën e njohur daneze, FC Copenhagen.