FFK-ja nis implementimin e programit “Futboll për Shkolla”

Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur sot implementimin e programit “Futboll për Shkolla”, i cili është një program i menaxhuar nga FIFA. Ky program ka për qëllim të kontribuojë në edukimin, zhvillimin dhe fuqizimin e rreth 700 milionë fëmijëve në të gjithë botën. “Futbolli për Shkolla” synon të bëjë futbollin më të qasshëm për djemtë dhe…

Sport

09/09/2024 10:54

Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur sot implementimin e programit “Futboll për Shkolla”, i cili është një program i menaxhuar nga FIFA. Ky program ka për qëllim të kontribuojë në edukimin, zhvillimin dhe fuqizimin e rreth 700 milionë fëmijëve në të gjithë botën.

“Futbolli për Shkolla” synon të bëjë futbollin më të qasshëm për djemtë dhe vajzat, duke përfshirë aktivitetet e futbollit në sistemin edukativ. Programi është dizajnuar për të promovuar aftësi dhe virtyte jetësore përmes futbollit dhe për të kontribuar në zhvillimin e fëmijëve si individë të mirë për shoqërinë.

Me anë të këtij projekti, FIFA dhe FFK do të krijojnë një ambient mbështetës, gjithëpërfshirës dhe do të kujdesen që të promovojnë mësimin dhe zhvillimin individual, së bashku me një kombinim të futbollit.

Programi “Futbolli për Shkolla” është i përputhur me politikat globale të sportit, edukimit dhe shëndetit, me qëllimin parësor për të avancuar përparësitë e zhvillimit.

Antonio Buenano nga FIFA, i cili është menaxheri i projektit “Futboll për Shkolla”, tha për faqen zyrtare të FFK-së se ky është një program shumë i veçantë sepse lidh edukimin me futbollin.

“Me anë të këtij programi do të bëjmë aftësimin e fëmijëve për jetën dhe në të njëjtën kohë edhe për futbollin. Pra, përmes lojës së futbollit do të ndihmojmë fëmijët që të bëhen qytetarë më të mirë. Ky është fillimi i programit, me anë të të cilit do të trajnohen rreth 50 edukatorë dhe arsimtar të edukatës fizike, të cilët njohuritë e tyre do t’i shfaqin tek kolegët e tyre, kështu duke e rritur rrjetin e këtij programi”, tha Buenano.

Përderisa përgjegjësja e këtij projekti në FFK, Albina Rrahmani, e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm zhvillimor drejt objektivave të FFK-së, gjithpërfshirës dhe shtrirjes në tërë vendin.

“Aktualisht kemi 40 profesor të edukatës fizike, të cilët janë ura lidhëse mes fëmijëve, shkollave dhe programit, me anë të të cilëve do të bëjmë rritjen e rrjetit të këtij projekti, duke mundësuar futbollin në çdo rajon të Kosovës. Të gjithë fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë futbollin dhe tiparet njerëzore përmes lojës së futbollit.” tha RrahmaniAktualisht, në fazën e parë tre ditore janë përfshirë komunat e Pejës, Prizrenit, Podujevës, Mitrovicës dhe Gjilanit.

“Futbolli në Shkolla” do të vazhdojë të rrisë shtrirjen në tërë Kosovën me qëllimin e vetëm që, me anë të lojës më të famshme në botë, futbollit, të kontribuojë në ndryshimin individual dhe atë të komunitetit.