Feston Kolumbia
Kolumbia mposhti Bregun e Fildishtë me rezultat 2:1, dhe u ngrit në kuotën e gjashtë pikëve në Grupin C të Kampionatit botëror në Brazil. James Rodriguez dhe Juan Quintero shënuan golat e fitores.
Sport
Kolumbia shënoi edhe fitoren e dytë në Grupin C të Kampionatit botëror, duke mposhtur Bregun e Fildishtë, me rezultat 2:1.
Në një ballafaqim mjaft interesant mes dy skuadrave që kishin fituar duelet e para, gjithçka u përcaktua pas intervalit kur loja ishte më e hapur.
Pas disa kërcënimeve, James Rodriguez kaloi Kolumbinë në epërsi në minutën e 64-të, kur realizoi me kokë. Ndërsa, vetëm gjashtë minuta më vonë Juan Quintero dyfishoi avantazhin e Kolumbisë. Mirëpo, Bregu i Fildishtë nuk u dorëzua.
Në minutën e 73-të, Gervinho shënoi pas një solo-depërtimi duke rikthyer skuadrën e tij në lojë. Mirëpo, koha e mbetur nuk i mjaftoi Bregut të Fildishtë që ta gjejë barazimin.
Nuk kreu punë as Didier Drogba i inkuadruar në lojë në minutën e 60-të.