“Ferronikeli” ndal punën deri në fundvit, redukton prezencën e punonjësve

Ndërmarrja “Newco Ferronikeli”, i ka njoftuar punëtorët e saj se pas një periudhe prej 17 muajsh të pezullimit të prodhimit, menaxhmenti ka vendosur ndalimin e plotë të aktivitetit prodhues deri më 31 dhjetor të këtij viti. Sipas vendimit të siguruar nga Periskopi, vendimi erdhi si rrjedhojë e një situate të jashtëzakonshme të krijuar nga tregu…

Lajme

09/04/2025 20:55

Ndërmarrja “Newco Ferronikeli”, i ka njoftuar punëtorët e saj se pas një periudhe prej 17 muajsh të pezullimit të prodhimit, menaxhmenti ka vendosur ndalimin e plotë të aktivitetit prodhues deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Sipas vendimit të siguruar nga Periskopi, vendimi erdhi si rrjedhojë e një situate të jashtëzakonshme të krijuar nga tregu ndërkombëtar, me impakt të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e ndërmarrjes.

“Më konkretisht, faktorët kryesorë me ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë prodhuese dhe shitjet e Shoqërisë janë rritja e madhe e çmimit të energjisë elektrike, rrjedhimisht rritje e kostove dhe lëvizjet e mëdha dhe gjithnjë më të pafavorshme komercialist të nikelit në bursë dhe tregun ndërkombëtar”.

“Pezullimi i prodhimit dhe rrjedhimisht ndalimi i plotë i veprimtarisë parashikohet të jetë deri në fund të vitit 2025, periudhë e cila do të na shërbejë për të marrë masa për përmirësimin e situatës  financiare të Shoqërisë, me qëllim përballimin e efekteve negative të shkaktuara nga faktorët kryesorë të tregut ndërkombëtar dhe rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendim thuhet se “NewCo Ferronikeli” e ka të pamundur që t’i mbulojë kostot financiare të personelit, prandaj thanë se është “vendosur të reduktohet prezenca në punë e punonjësve në masën prej 25% të kohës normale të punës”.