Ferizaj, nis aksioni njëmujor për pastrimin e ambientit

Me moton "Të jetojmë pastër" të dielën në Ferizaj ka filluar aksioni njëmujor i pastrimit të qytetit.

Lajme

26/04/2015 14:28

Ky aksion që po zhvillohet nën patronazhin e kryetarit të Komunës, Muharrem Sfarqa, ka tubuar nxënësit e shkollave të kësaj komune, shoqërisë civile, sportistët dhe ambientalistët, të cilët do të jenë pjesë e projekteve të parapara që të zhvillohen gjatë kësaj kohe.

Sfarqa, i cili ka dalë sot në terren, ka thënë se ky aktivitet, përveç pastrimit të hapësirave publike, do të ketë efektin e vet edhe në sensibilimin e opinionit si dhe do të rrisë përgjegjshmërinë qytetare karshi ambientit.

“Përveç aspektit të pastrimit, ky projekt do të nxisë ambientalistët që të qëndrojnë në këmbë të tyre dhe të luftojnë me dinjitet për mbrojtjen e ambientit, në mënyrë që të gjitha strukturat e popullsisë të jenë pjesë rrjedhëse të këtyre aktiviteteve që organizohen nga Komuna dhe në të njëjtën kohë të jenë pjesë jo vetëm mbështetëse por edhe vendimmarrëse për të gjitha këto aktivitete që janë të domosdoshme dhe të dobishme për të gjithë ne”, ka thënë Sfarqa.

Aksioni i nisur po përkrahet edhe nga shoqëria civile e Ferizajt, përfaqësuesit e së cilës kanë thënë se ky aktivitet është një mesazh për qytetarët se edhe ata duhet të jenë pjesë aktive e këtyre nismave që për bazë kanë projektet mjedisore.

Gjatë një muaji të aksionit do të zhvillohen një mori aktivitetesh si ecja pa vetrura-me biçikleta, mbjellja e fidanëve në hapësirat e dëmtuara, pastrimi sipas hartës ekologjike, pjesëmarrja në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, si dhe organizimi i një koncerti me rastin e mbylljes së këtij projekti me rock grupet e qytetit, transmeton KosovaPress.