Fatos Geci i VV-së i vetmi që votoi kundër Rezolutës për Specialen
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Rezolutën në mbrojtje të të drejtave të udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, me një shumicë të gjerë votash. Nga 91 deputetë që morën pjesë në votim, 90 votuan pro Rezolutës, e cila mbulon mbrojtjen e të drejtave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit,…
Lajme
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Rezolutën në mbrojtje të të drejtave të udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, me një shumicë të gjerë votash.
Nga 91 deputetë që morën pjesë në votim, 90 votuan pro Rezolutës, e cila mbulon mbrojtjen e të drejtave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve. Vetëm deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, votoi kundër saj, duke qenë i vetmi që u shpreh kundër dokumentit, transmeton lajmi.net.
Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur këtë votim, duke e cilësuar si një akt përgjegjësie shtetërore dhe uniteti institucional. Sipas PDK-së, Rezoluta rikonfirmon përkushtimin e Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim, pasi rendi i ditës nuk përfshinte pikën për vrasjet e pasluftës, që sipas saj është një çështje e rëndësishme që duhej të trajtohej.
Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të sigurojnë respektimin e plotë të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, transparencën, llogaridhënien dhe kultivimin e besimit publik në drejtësi. Ajo gjithashtu konfirmon zotimin e institucioneve të Kosovës për të ofruar mbështetjen e nevojshme, përfshirë atë financiare, në mbrojtje të të drejtave të udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së./lajmi.net/