Faton Peci trefishon votat në krahasim me vitin 2021, Donika Gërvalla me rënie të votave

Pas përfundimit të procesit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, KQZ po vazhdon të bëjë numërimin e votave për kandidatët për deputetë. Deri tani janë numëruar rreth 80% e votave për deputetë teksa shumica e kandidatëve kanë mësuar fatin e tyre nëse kanë arritur të sigurojnë ulëse apo jo, transmeton lajmi.net. Nga radhët e…

Lajme

19/02/2025 10:32

Pas përfundimit të procesit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, KQZ po vazhdon të bëjë numërimin e votave për kandidatët për deputetë.

Deri tani janë numëruar rreth 80% e votave për deputetë teksa shumica e kandidatëve kanë mësuar fatin e tyre nëse kanë arritur të sigurojnë ulëse apo jo, transmeton lajmi.net.

Nga radhët e partisë së parë në zgjedhjet parlamentare gara për të siguruar një ulëse është jashtëzakonisht e lartë.

Shumë kanidatë performuan mirë, disa kaluan pritshmëritë e disa të tjerë nuk përmbushën pritshmëritë e tyre.

Një nga kandidatët që performoi më mirë në LVV ishte padyshim ministri, Faton Peci.

Peci arriti që të shndërrohet në personin e tretë më të votuar në listën e LVV pas vetëm liderit, Albin Kurti dhe Glauk Konjufcës.

Faton Peci arriti që të trefishojë votat e vitit 2021. Deri tani Peci ka grumbulluar 84086 vota, kurse në vitin 2021 kishte 25284 vota.

Peci performoi mirë nga radhët e Listës Guxo duke trefishuar votat e tij, mirëpo kandidatja tjetër nga radhët e Listës Guxo, Donika Gërvalla Schwarz nuk arriti të mbante votat e vitit 2021.

Nga 71722 vota që kishte në vitin 2021, Gërvalla deri tani ka mbledhur 68106 vota.

Kujtojmë që në vitin 2021 Listës së përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa i printe presidentja e tanishme, Vjosa Osmani që kishte fituar numër rekord votash 300756.

Në atë kohë, kryeministri Albin Kurti nuk kishte të drejtë të garonte për zgjedhjet parlamentare, pas vendimit të Gjykatës për akuzat ndaj tij për hedhje të gazit lotsjellës.

Pas zgjedhjes së saj si presidente e vendit, subjekti politik Guxo prin nga Faton Peci, teksa marrëdhëniet mes Donika Gërvallës dhe Vjosa Osmanit ishin tensionuar në vitin që lamë pas.