Fasada e djegur e FSHMN-së rinovohet për tri javë
Renovimi i fasadës së djegur të FSHMN-së ka nisur dhe pritet të kryhet për tri javë.

Lajme
Ka filluar rinovimi i fasadës së pjesës anësore të objektit të Fakultetit të Shkencave Natyrore (FSHMN) e cila është djegur rreth një muaj më parë.
Zjarri i cili e kishte përfshirë pjesën e jashtme të FSHMN-së është vlerësuar se është shkaktuar nga kontejnerët e mbeturinave që gjenden ngjitur me objektin që ishte përfshirë nga zjarri.
Sipas Myrvete Badivuku – Pantina, prorektore për buxhet dhe financa në Universitetin e Prishtinës, komisioni i caktuar nga Universiteti i Prishtinës ka bërë një specifikat për rinovimin e fasadës së FSHMN-së.
Kompania e përzgjedhur për kryerjen e punës është “Engineering” nga Komuna e Vitisë.
“Është hapur tenderi dhe është përzgjedhur kompania e cila do t’i kryejë punët e renovimit të fasadës”, ka thënë Badivuku-Pantina.
Prorektorja për Buxhet dhe Financa ka theksuar se kompania veçse ka filluar të kryejë punën për rinovimin e pjesës së djegur të objektit.
“Parashihet t’i kryejë punët për 2 javë, varësisht nga kushtet klimatike mund të zgjasë deri në 3 javë”, ka përfunduar Badivuku-Pantina./Kallxo.com