Faqe e re në Facebook, “Te Gjith Kunder Isa Mustafes per tu ber kryminister”
Me prishjen e Marrëveshjes me Bllokun dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka indinjuar militantët.
Lajme
Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje me Hashim Thaçin, dikush ka hapur faqe të re në Facebook me adresë: “Te Gjith Kunder Isa Mustafes per tu ber kryminister”.
Në “timeline” të kësaj adrese janë postuar foto liderit të LDK-së, mbi të cilat shkruhet: “Tradhtar”; “Shqiptari nuk e ka pas zakon me tradhtu, por un i tradhtova njerezit e mi”, etj.
Një ditë më parë, me përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është pajtuar për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike të Kosovës, dhe në prani të presidentes Atifete Jahjaga, bashkë me Hashim Thaçin, kanë nënshkruar marrëveshjen që do të çojë në konstituimin e institucioneve të reja të shtetit të Kosovës.
Marrëveshja me Bllokun është prishur, për shkak të refuzimit të AAK-së që ajo të rishqyrtohet, me qëllim që në vend të Ramush Haradinajt, për kryeministër të nominohet Isa Mustafa.
Kjo kërkesë ishte bërë nga LDK-ja, pas bindjes së partive të koalicionit LAN se posti i kryetarit të Kuvendit, që i ishte premtuar Isa Mustafës, i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve, Partisë Demokratike.