Familja Dehari angazhon ekspert nga Shqipëria për obduksionin e Astritit

Familja Dehari ka angazhuar një ekspert të mjekësisë ligjore nga shteti i Shqipërisë, i cili do ta mbikëqyrë procesin e autopsisë për Astritin, i cili gjatë ditës së djeshme ndërroi jetë në rrethana ende të paqarta. Autopsia pritet të bëhet të hënën, pasi eksperti shqiptar ende s’ka ardhur në Kosovë.

Lajme

06/11/2016 12:02

“Presim që së shpejti të vijë mjeku nga Shqipëria dhe nesër të ndjerit t’i bëhet procesi i autopsisë”, ka thënë prokurori Metush Biraj, i cili po merret me vdekjen e dyshimtë të 26 vjeçarit.

Biraj, ka thënë për Gazetën Express, se është miratuar kërkesa e Familjes Dehari për angazhimin e një eksperti të jashtëm për të marrë pjesë në autopsinë e djalit të tyre.
Eksperti nga Shqipëria nuk do të jetë pjesë e mjekëve ligjorë që do ta bëjnë autopsinë, por vetëm do të jetë mbikëqyrës.

“Nuk do të marrë pjesë në obduksion, por vetëm ta mbikëqyrë procesin”, ka thënë Biraj.
Vdekja e Deharit është cilësuar si e dyshimtë. Për të hetuar rastin janë përfshirë Policia, Prokuroria dhe Mjekësia Ligjore.

Prokurori Biraj ka thënë se gjatë ditës së djeshme ekipet e forenzikës i kanë bërë të gjitha hetimet lidhur me këtë çështje. Ai tha se prokuroria tashmë është në fazën e hetimeve lidhur me këtë çështje.

“Jemi në fazën e hetimeve. Ende nuk kemi ndonjë të re në këtë drejtim, por ju konfirmoj se ne tashmë jemi në fazën e hetimeve”, ka shtuar ai.

Ndërkohë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha ka bërë të ditur se të gjitha dyshimet lidhur me vdekjen e Astrit Deharit do t’i bëjë të ditura raporti i obduksionit.

Hoxha tha se në trupin e pajetë të Deharit nuk ka pasur ndonjë plagë, por vetëm disa gërvishtje në pjesën e qafës.

“E kemi cilësua si vdekje të dyshimtë, ende nuk i dimë shkaqet. Po i presim të gjitha raportet. Për momentin nuk mund të deklarojmë më shumë”, ka thënë Hoxha.

Ndërkohë që sot familja e Astrit Deharit ka njoftuar se sot nuk do të bëhet varrimi i djalit të tyre, i cili vdiq derisa ishte duke shkuar nga burgu i Prizrenit për në spital.

“Ju informojmë se varrimi i Astrit Dehari djalit të Avni Dehari NUK bëhet sot (e diel). Për më shumë ju informojmë më vonë”, thuhet në njoftimin e Familjes Dehari.

Astrit Dehari ka ndërruar jetë të shtunën ndërsa ishte duke u mbajtur në paraburgim prej 67 ditësh nën dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.