Facebook Pay – sistem i ri pagese

Facebook ka nisur një sistem të ri pagese të quajtur në Facebook Pay.

Auto & Tek

13/11/2019 18:41

Do të jetë në dispozicion përmes Facebook, Messenger, Instagram dhe WhatsApp dhe është krijuar për të mundësuar pagesa në aplikacionet e njohura në pronësi të Facebook.

Facebook Pay mund të përdoret për të dërguar para miqve, për blerje ose për bamirësi.

Shërbimi do të jetë i ndarë nga shërbimet Calibra Wallet dhe Libra, transmeton lajmi.net.

Facebook planifikon të nisë shërbime në platformat Messanger dhe Facebook këtë javë. Fillimisht, do të jetë në dispozicion për mbledhje fondesh humanitare, pagesa ndërmjet përdoruesve, blerje të biletave të ngjarjeve, si dhe blerje nga faqet e mallrave përmes Facebook Marketplace.

“Në periudhën e ardhshme, ne planifikojmë të zgjerojmë biznesin tonë me më shumë veçori, si dhe Instagram dhe WhatsApp”, tha Deborah Liu, zëvendës presidente e Facebook për Tregtinë.

Facebook Pay do të jetë në dispozicion në seksionin e konfigurimit të aplikacionit Facebook dhe Messenger dhe do të mbështesë shumicën e kartave të debitit dhe kredisë, si dhe PayPal. Për procedimin e pagesave, Facebook përdor Stripe, PayPal dhe shërbime të tjera.

Kompania nuk ka zbuluar datën e saktë kur ky sistem do të vihet në dispozicion në aplikacionet e tyre, as kur do të bëhet i disponueshëm në të gjithë botën.

Ndryshe, Facebook Pay vjen vetëm disa javë pasi një numër i kompanive pagese janë tërhequr nga asociacioni Libra, e cila mbikëqyr krijimin dhe lëshimin e valutave të reja digjitale. /Lajmi.net/