“Facebook” i jep fund programit për kontrollimin e fakteve, Zucerkbergu jep hollësi
Shefi ekzekutiv i kompanisë “Meta”, në pronësinë e të cilës është edhe rrjeti “Facebook”, ka njoftuar një varg ndryshimesh të konsiderueshme në politikat dhe praktikat e moderimit të përmbajtjes, duke cituar ndryshimin e peizazhit politik dhe social si dhe dëshirën për ta përqafuar të shprehurit e lirë. Zuckerbergu tha se “Meta” do t’i japë fund…
Bota
Shefi ekzekutiv i kompanisë “Meta”, në pronësinë e të cilës është edhe rrjeti “Facebook”, ka njoftuar një varg ndryshimesh të konsiderueshme në politikat dhe praktikat e moderimit të përmbajtjes, duke cituar ndryshimin e peizazhit politik dhe social si dhe dëshirën për ta përqafuar të shprehurit e lirë.
Zuckerbergu tha se “Meta” do t’i japë fund programit të vet për kontrollimin e fakteve me partnerë të besueshëm dhe do ta zëvendësojë atë me një sistem të drejtuar nga komuniteti, i ngjashëm me sistemin “Community Notes” të rrjetit X, raporton televizioni amerikan, “NBC News”.
Këto ndryshime do t’i prekin rrjetet “Facebook” dhe “Instagram”, dy platformat më të mëdha sociale në botë, secila me miliarda përdorues, si dhe rrjetin “Threads”.
“Ne do t’u kthehemi rrënjëve tona dhe do të përqendrohemi në zvogëlimin e gabimeve, duke i thjeshtuar politikat tona dhe duke e rivendosur të shprehurit e lirë në platformat tona” – tha Zucerbergu në një video.
“Së pari, ne do t’i heqim kontrolluesit e fakteve dhe do t’i zëvendësojmë ata me shënime të komunitetit, të ngjashme me ato në X, duke filluar në ShBA” – shtoi ai.
Ai i përmendi zgjedhjet si ndikim i rëndësishëm në vendimin e kompanisë dhe kritikoi “qeveri e media të trashëgimisë” se gjoja po shtyjnë “drejt censurës gjithnjë më shumë”.
Më tej, Zuckerbergu tha se sistemet që kompania i kishte ndërtuar për moderimin e platformave të saj po bënin shumë gabime, duke shtuar se kompania do të vazhdojë që ta moderojë në mënyrë agresive përmbajtjen që lidhet me drogën, terrorizmin dhe shfrytëzimin e fëmijëve.