Fabrikë e re për trajtimin e ujërave të zeza të Prishtinës me komunat përreth

Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën Franceze dhe Zyrën regjionale të Thesarit Francez, ka mbajtur takimin e dytë të Komitetit Drejtues për realizimin e Projektit të ujërave të zeza në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Ky takim, i cili u udhëheq nga zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, shënon vazhdimin e proceseve për realizimin e projektit në fjalë.

Lajme

26/05/2017 14:14

Ky projekt është i një rëndësia të veçantë për qytetarët e komunave respektive dhe përgjithësisht ambientin në nivel të Kosovës. Përveç avancimit të rrjetit ekzistues të ujërave të zeza, do të ndërtohet edhe një fabrikë bashkëkohore për trajtimin e këtyre ujërave. Në këtë fabrikë do të trajtohen ujërat e zeza sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe pastaj uji i trajtuar do të zbrazet në lumenj.

Projekti i ujërave të zeza në Prishtinë dhe komunat përreth vlerësohet se do të arrijë një investim në vlerë rreth 86 milionë euro. Nga kjo shumë, 66 milionë euro do të huazohen me kushte shumë të volitshme nga Qeveria e Republikës së Francës, kurse pjesa e mbetur do të jetë kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës.