F1 2022: Rënia e Mercedes dhe dominimi absolut i Red Bull – Verstappen kampion i dyfishtë, me rekord mahnitës
Sezoni 2022 në Formula 1 i takoi në tërësi skuadrës së Red Bull, e cila fitonte garat ‘për qejf’, me pilotin holandez Max Verstappen që ishte më i miri dhe u kurorëzua me titull kampioni. Max Verstappen është kampion botëror për herë të dytë në Formula 1, pas një sezoni të paharruar me bolidin RB18,…
Sport
Sezoni 2022 në Formula 1 i takoi në tërësi skuadrës së Red Bull, e cila fitonte garat ‘për qejf’, me pilotin holandez Max Verstappen që ishte më i miri dhe u kurorëzua me titull kampioni.
Max Verstappen është kampion botëror për herë të dytë në Formula 1, pas një sezoni të paharruar me bolidin RB18, i cili dukej thjesh i pakapshëm në pistë.
Me 17 fitore dhe 28 podiume mes Max Verstappen dhe Sergio Perez, krerët e Red Bull nuk mund as ta mendonin një sezon më të suksesshëm. Këtë dominim absolut të Red Bull e bëri të mundur edhe dështimi i skuadrës së Mercedes në ndërtimin e bolidit W13. Skuadra e Mercedes mori vetëm një fitore këtë sezon, me pilotin George Russell, i cili regjistroi edhe 8 podiume, derisa Lewis Hamilton arriti vetëm 9 podiume.
Një dozë ‘merite’ ka edhe skuadra e Ferrari, e cila ndonëse e nisi mirë sezonin, përfundoi duke ‘i falur’ disa gara skuadrës së Red Bull. Për Charles Leclerc (piloti i Ferrari) ky do të mbahet mend si sezoni më i pafat. Por, të thuash vetëm kaq është t’i vjedhësh meritat e Red Bull.
Max Verstappen, në 22 gara sa mori pjesë këtë edicion, arriti të fitonte 15 prej tyre, duke vendosur një rekord të ri në Formula 1, për më së shumti gara të fituara brenda një sezoni. Nga 15 fitore sa mori, Verstappen 7 herë u nis nga ‘Pole-position’. Në fund të sezonit, holandezi numëroi 454 pikë në total. Vlen të përmendet se ai nuk arriti ta përfundonte një garë.
Piloti tjetër i Red Bull, Sergio Perez në anën tjetër, po ashtu në 22 gara, arriti të merrte 2 fitore, dhe një herë u nis nga ‘Pole-position’. Meksikani e mbylli sezonin në pozitën e tretë në klasifikimin e përgjithshëm, me 305 pikë. Ai nuk i çoi dot deri në fund dy gara këtë sezon.
Fitorja e parë për Red Bull në sezonin 2022 erdhi në garën e Çmimit të Madh të Arabisë Saudite, ku Max Verstappen doli si piloti më i shpejtë, ndonëse Sergio Perez nisej nga pozita e parë.
14 fitoret e tjera të Verstappen erdhën në pistat Emilia Romagna në Itali, Miami GP, Spanjë, Azerbajxhan, Kanada, Francë, Hungari, Belgjikë, Holandë, Itali, Japoni, ShBA, Meksikë dhe Abu Dhabi. Për Sergio Perez, fitorja e vetme erdhi në pistën e Monakos.
Rivali kryesor i Red Bull për këtë sezon, Ferrari, fitoi garën e parë, atë të Bahrain, me Charles Leclerc që ishte më i shpejti. I njëjti bëri mirë edhe në garën e tretë të sezonit, kur fitoi Çmimin e Madh të Australisë. Ferrari fitoi edhe me Carlos Sainz, në Britani të Madhe, në atë që ishte gara 10 e kampionatit, kurse gëzimet për Ferrari u ndalën në Austri, kur Leclerc mori fitoren e fundit për sezonin 2022. Krejt çka e pengoi skuadrën e Red Bull deri në fund ishte një fitore e Mercedes me George Russell në pistën e Sao Paulo në Brazil.
Këto statistika mahnitëse bën që klasifikimi në nivel konstruktorësh të jetë me një diferencë të madhe mes pozitës 1 dhe 2. Red Bull priu tabelën me plot 759 pikë të tubuara, kurse Ferrari mori pozitën 2 me 554 pikë, ndjekur nga Mercedes me 515 pikë.
Gjithë ky dominim i Red Bull nuk mbeti pa u komentuar, e as pa u hetuar. Skuadra austriake u hetua për disa shkelje që lidheshin me limitet buxhetore, ku edhe u shpall fajtore. Me rrezikun për të marrë denime të mëdha, Red Bull shpëtoi me gjobë të hollash. Skuadra e Red Bull shpallej fajtore për tejkalim të limitit të buxhetit të caktuar prej 114 milionë funteve. Këtë shkelje FIA e ka konsideruar si shkelje minore, dhe shkelja është bërë në sezonin 2021. Diskrepanca mes shpenzimeve të Red Bull dhe limiteve të cekura ishte 1 milion funte, dhe jo ashtu siç fillimisht spekulohej, 10 milionë.
Si pasojë e këtyre shkeljeve, Red Bull do të gjobitej me 7 miliionë dollarë, si dhe në testimet për sezonin 2023, ata do të humbin 10% të kohës së lejuar për të testuar aerodinamikën. Por, problemet nuk ndalen këtu. Sezoni nuk përfundoi mirë sa i përket raporteve ‘kolegiale’ të dy pilotëve të Red Bull, Verstappen e Perez.
Kulmi u arrit në garën e Brazilit, kur skuadra e RB i kërkoi Verstappen t’i linte pozitën e tij pilotit meksikan për t’i ndihmuar për pozitën e dytë, por holandezi refuzonte të bënte një gjë të tillë. Perez shprehej i mllefosur duke thënë se veprimi në fjalë ka treguar se kush Verstappen është me të vërtetë.
“Faleminderit, faleminderit për këtë djema. Kjo tregon se kush është ai në të vërtetë”, kishte thënë Perez në radio, përcjell lajmi.net. Kurse, pas garës shtoi edhe disa komente të tjera. “Nuk e kuptoj pse Max nuk më dha pozitën pas gjithë atyre gjërave që kam bërë për të. Nëse ka dy tituj të kampionit është për shkakun tim”, ka shtuar Checo. Këtu, Perez i referohet garës së vitit 2021 në Abu Dhabi ku ai ngadalësoi Lewis Hamilton, por edhe disa rasteve në 2022 ku i la pozitën e parë pilotit holandez që po ndjekte titullin e kampionit.
Skuadra do të ketë kohë që gjatë pushimit të provojë e t’i rregullojë këto probleme. Për sezonin 2023, Red Bull do të kenë edhe një tjetër emër të madh në skuadër. Bëhet fjalë për Daniel Ricciardo, i cili ka vendosur të kthehet tek austriakët, kësaj radhe si pilot rezervist.
Red Bull do të kenë një punë mjaft të vështirë në tentim për të ruajtur titullin e kampionit. Mercedes kanë nisur punët për një bolid më produktiv. Lewis Hamilton vazhdon të jetë në ndjekje të titullit të 8-të të kampionit botëror, titull ky që për shumë kë u vodh në vitin 2021. Ferrari po ashtu do të jetë kockë e fortë. Tensionet mes Verstappen e Perez, nëse nuk neutralizohen, mund ta bëjnë të pamundur misionin për mbrojtjen e titullit. Christian Horner do të ketë shumë punë për të bërë, për ta ruajtur lavdinë e sezonit 2022. /Lajmi.net/