Eugen Cakolli kritikon vendimin e KQZ-së për Listën Serbe: Teatër politik, do të rrëzohet nga PZAP
Përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale. Ai e ka quajtur këtë vendim “një akt politik”, duke theksuar se KQZ-ja ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka hyrë në fushën që i takon drejtësisë…

Lajme
Përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale.
Ai e ka quajtur këtë vendim “një akt politik”, duke theksuar se KQZ-ja ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka hyrë në fushën që i takon drejtësisë dhe institucioneve të sigurisë, transmeton lajmi.net
“Vendimi i sotëm për të mos certifikuar Listën Serbe nuk është gjë tjetër veçse një akt politik, i cili do të rrëzohet nga PZAP-ja,” ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, ligji është i qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime politike: “Çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveçse kur nuk i plotëson kërkesat administrative.”
Cakolli shtoi se kufizimet ndaj kandidatëve individualë mund të aplikohen vetëm nëse ka “papërshtatshmëri juridike, përfshirë dënime penale me burgim efektiv në tri vitet e fundit.”
Sipas tij, për sa kohë që nuk ka një vendim që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai duhet trajtuar sipas standardeve të barabarta ligjore.
Në fund, Cakolli paralajmëroi për rrezikun e politizimit të procesit zgjedhor, duke theksuar se “nëse KQZ-ja vazhdon të shfrytëzohet si fushëbetejë politike, kjo vetëm se i bën dëm Kosovës, duke e cenuar kredibilitetin e zgjedhjeve dhe duke i dhënë armë propagandës së Beogradit në arenën ndërkombëtare.”/lajmi.net/