ETEA: Kopjimi dhe manipulimi ne Provimin e Maturës është një problem sistematik

Rezultatet e provimit të maturës që u publikuan para disa ditësh sërish nxitën zëra për pjesën e kopjimit dhe manipulimit me pyetjet e testit. Organizata ETEA publikoi raportin analitik mbi Provimin e Maturës Shtetërore në të cilin u kërkua një ashpërsim masash, përfshirë mbikëqyrjen me kamera, ndryshimin e Ligjit për Provimin e Maturës  deh masa…

Lajme

05/07/2024 13:40

Rezultatet e provimit të maturës që u publikuan para disa ditësh sërish nxitën zëra për pjesën e kopjimit dhe manipulimit me pyetjet e testit.

Organizata ETEA publikoi raportin analitik mbi Provimin e Maturës Shtetërore në të cilin u kërkua një ashpërsim masash, përfshirë mbikëqyrjen me kamera, ndryshimin e Ligjit për Provimin e Maturës  deh masa ndëshkimore për administratorët dhe personat përgjegjës që përfshihen ne praktika të kopjimit.

Autori i këtij raporti, Agon Ahmeti thotë se ky raport analitik ka qenë e nevojshme për shkak që shqetësimit mbi integritetin dhe besueshmërinë e rezultateve të provimit.

“Provimi i Maturës Shtetërore në Kosovë paraqet një hap vendimtar për nxënësit e shkollave të mesme të larta, duke shërbyer si kriter kyç për vijim të studimeve në institucionet e Arsimit të Larte (IAL). Në Kosovë, Provimi i Maturës Shtetërore filloi të mbahet për herë të parë në vitin shkollor 2005/2006. Sipas Ligjit Nr. 05/L -018 provimi i maturës është vlerësim i arritjeve, njohurive, shkathtësive dhe aftësive te nxënësve. Organizata ETEA gjatë 5 viteve të fundit ka observuar organizimin dhe mbarëvajtjen e Provimit te Maturës Shtetërore duke vënë theksin tek integriteti dhe besueshmëria e rezultateve”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe ai është shprehur se kopjimi dhe manipulimi në test është problem sistematik i cili mbështetet edhe në tolerancën dhe inkurajimin e administratorëve dhe mbikëqyrësve.

“Nota mesatare e nxënësve barazohet në përqindje me rezultatet e provimit. Kjo minimizon rëndësinë e vlerësimeve gjithëpërfshirëse dhe të vazhdueshme të bëra nga mësimdhënësit gjatë tri viteve. Provimi i Maturës, i cili zgjat 2 ore e 30 minuta, nuk mund të kap plotësisht thellësinë dhe gjerësinë e aftësive, njohurive te nxënësve. Rezultatet e provimit në masë të madhe krijojnë një besim të rrem mbi dijet dhe aftësitë e nxënësve. Kopjimi dhe manipulimi ne Provimin e Maturës është një problem sistematik, i nxitur nga toleranca dhe inkurajimi i administratoreve dhe mbikëqyrësve”, shtoi ai, raporton EO.

Koordinatorja e projekteve në këtë organizatë, Bleona Kurreshi, ka dhënë disa rekomandime për të përmirësuar pyetjet e Maturës.

“Po flas për disa rekomandimet siç janë Fuqizimi i rolit të administratorëve dhe mbikëqyrësve përmes trajnimeve intensive, duke u fokusuar në ndershmërinë dhe integritetin akademik. Integrimi i teknologjisë se avancuar për mbikëqyrjen e provimit, duke përfshirë përdorimin e kamerave dhe detektorëve të pajisjeve elektronike, për të zvogëluar mundësinë e kopjimit. Përmirësimi i transparencës dhe publikimi i rregullt i raporteve mbi ndëshkimet për shkeljet e rregullave të provimit. Ligji për Provimin e Maturës duhet të rishikohet për të ashpërsuar masat ndëshkimore ndaj administratoreve dhe personave përgjegjës që përfshihen ne praktika të kopjimit”, ka thënë Kurteshi.

Ky raport synon të ofrojë një vlerësim kritik dhe gjithëpërfshirës të procesit të Provimit të Maturës Shtetërore, duke analizuar efektivitetin, integritetin akademik, dhe sfidat kryesore që ndërlidhen me të gjatë viteve të fundit dhe me fokus në vitin 2024.