Është vizitë politike

Kryeministri Thaçi lejoi vizitën e Ivica Dacic në Kosovë, me arsyetimin e karakterit të saj religjioz. Ai do të qëndrojë sot në Graçanicë. LDK e Vetëvendosje, megjithatë, e quajnë vizitë politike dhe thonë se ka për qëllim pjesëmarrjen politike brenda vendit.

Lajme

19/10/2013 06:35

Ivica Dacic pritet sot ta vizitojë Kosovën

Kryeministri Hashim Thaçi i ka dhënë dritën jeshile homologut të tij serb për të ardhur në Kosovë dhe ky vendim ka ngjallur reagim të ashpër nga opozita kosovare.

Kryeministri tha se nuk ka ndonjë aryse për ta penguar një vizitë që ka karakter religjioz, përmendi vlerat perëndimore të Kosovës, e në fund pranoi se pret edhe reagime që do të ngjallë ky vendim.

“Kërkesa e Kryeministrit të Serbisë është me karakter strikt religjioz dhe unë konsideroj që nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë. Duke qenë një populli civilizuar dhe i qytetëruar ne duhet të kemi mirëkuptim për vlerat religjioze dhe humanitare edhe për popujt tjetër”.

“Jemi në fushatë elektorale, e dimë se do të ketë menjëherë reagime nga spektri apo individë politik me karakter elektoral. Por, unë i pyes këta kritikë se cila do të duhej të ishte përgjigja e Kosovës që të mos tolerojë vizita në Manastir apo me karakter humanitar, të cilat dalin përtej politikës ditore apo shtetërore?”

Kështu deklaroi Kryeministri Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, të premten, kur bëri të ditur vendimin për ta lejuar vizitën e Kryeministrit të Serbisë në Kosovë.

Opozitarët e LDK’së dhe Vetëvendosjes konsiderojnë se vizitat e tilla asnjëherë nuk kanë pasur karakter fetar, por kanë për qëllim pjesëmmarrjen politike brenda vendit.

Thonë se vizitat e tilla nuk bëhen në kohën e zgjedhjeve.

Shefi i Grupti Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, tha për lajmi.net se nuk ka dëshirë të merret me deklaratat e Kryeministrit Thaçi lidhur me lejimin e Ivica Dacic për ta vizituar Kosovën.

“Nuk kam dëshirë t`i komentoj deklaratat e Kryeministrit Thaçi që i ndryshon çdo ditë. Realisht, qytetarët janë mësuar që ai thotë një ditë diçka, e tjetrën ditë diçka tjetër”.

“Prandaj, për këtë është mirë të mos flasë fjalë të mëdha, sepse të gjithë e dinë se nuk mund t’i mbajë fjalët e mëdha”.

Ismet Beqiri dyshon se Kryeministri i Serbisë e ka pyetur dikë nga Qeveria e Kosovës që ta vizitojë vendin.

“Në këtë rast, së paku uroj që edhe ta ketë pyetur Qeverinë e Kosovës, gjë që dyshoj”.

Ai ka thënë se do të shihet çfarë deklaratash do të përdorë Dacic kur të jetë në Kosovë.

“Në një kohë të zgjedhjeve nuk mund të thuhet që ajo vizitë nuk është politike. Kjo është absolutisht e paqëndrueshme”.

Sipas Beqirit, LDK nuk është kundër vizitave me karakter fetar, nëse respektohen procedurat.

Rreth këtij vendimi të Qeverisë është deklaruar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Duke folur për lajmi.net, ai ka thënë se Kryeministri Thaçi po bëhet avokat i Kryeministrit Dacic.

“Edhe një herë Kryeministri Thaçi po bëhet avokat i Dacicit, në këtë rast po e bën avokaturën e vizitës së padrejtë të Dacicit në Kosovë”.

“Avokat i vizitës antikushtetuese të Dacicit në Kosovë. Dhe, si jo rrallëherë, në këtë rast mbrojtës i kësaj ardhjeje dhe kumbar i kësaj vizite në Kosovë është zoti Thaçi”.

“Kështu e vlerësoj, jo ndryshe, pavarësisht lojërave paraprake që është munduar t`i bëjë qoftë Kryeministri, qoftë Ministri i Drejtësisë (Hajredin Kuçi)”.

Rexhep Selimi është shprehur kategorikisht kundër çdo vizite në Kosovë të zyrtarëve serbë, qofshin ato edhe të mbështjella me ambalazhin e karakterit fetar.

“Dacicit dhe të gjithë aparatit kriminal të Milloshevicit nuk duhet t`i lejohet fare ardhja në Kosovë, as për vizita zyrtare, as për vizita religjioze”.

“Asnjë vizitë deri më tani, ndonëse ka qenë në petkun e vizitave religjioze, nuk ka ndodhur si e tillë. Të gjitha vizitat, edhe kur kanë qenë të tilla, ata i kanë shfrytëzuar për mesazhe politike kundër shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe mesazhe në mbrojtje të Serbisë brenda territorit të Kosovës”.

“Kështu që, ky kamuflim nuk do të duhej të përdorej si i tillë, për shkak se nuk është më kamuflim por është vetëm një batutë e Kryeministrit Thaçi”.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi thotë se qëllimi i vizitës së Kryeministrit serb është pjesëmarrja në jetën politike brenda Kosovës.

“Po ta pyesni Kryeministrin Dacic, ai nuk thotë kështu, ai tregon qëllimin e vërtetë të kësaj vizite dhe qëllimi i vërtetë i kësaj vizite është pjesëmarrja në jetën politike brenda territorit të Kosovës”.

Vizita e Dacic vjen dy ditë pas asaj të ministrit serb pa portofol Aleksandar Vulin, i cili edhe pse e kishte të ndaluar të futej në territorin e Kosovës për shkak të deklaratave politike , kishte hyrë ilegalisht përmes Veriut të Kosovës.