Ernest Luma padit RTK-në pas largimit nga puna: Më larguan si në kohën e Millosheviqit
Ernest Luma ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), pas vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës, të marrë më 28 gusht. Përmes një postimi në Facebook, Luma ka pretenduar se largimi i tij nga puna është i padrejtë dhe diskriminues, duke e ndërlidhur vendimin me…
Lajme
Ernest Luma ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), pas vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës, të marrë më 28 gusht.
Përmes një postimi në Facebook, Luma ka pretenduar se largimi i tij nga puna është i padrejtë dhe diskriminues, duke e ndërlidhur vendimin me postimet e tij me përmbajtje sarkastike në rrjetet sociale.
Ai ka thënë se procedura disiplinore ndaj tij ishte iniciuar nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit të RTK-Radios dhe më pas ishte aprovuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të RTK-Radios.
Sipas Lumës, vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës i ishte përcjellë përmes emailit, pa arsyetime të detajuara se si postimet e tij kishin shkelur rregulloret e RTK-së.
Luma ka pretenduar se shkrimet e tij në Facebook ishin opinione personale, të ndara nga angazhimi i tij profesional në RTK, duke theksuar se në to nuk kishte përmendur institucionin dhe as nuk ishte prezantuar si përfaqësues i tij.
Ai e ka cilësuar vendimin si selektiv dhe diskriminues, duke pretenduar se edhe persona të tjerë të punësuar në RTK publikojnë opinione personale dhe bëjnë deklarime publike, por ndaj tyre nuk janë marrë masa të ngjashme.
“RTK më largoi nga puna si në kohën e Millosheviqit!”, ka shkruar Luma, duke kujtuar largimet masive të shqiptarëve nga puna gjatë viteve 1989-1990 nën regjimin e atëhershëm serb. Ai ka përmendur edhe prindërit e tij, të cilët, sipas tij, ishin në mesin e të larguarve nga puna në atë periudhë.
Luma ka shprehur shqetësimin se, sipas tij, RTK-ja po shndërrohet në një medium të pushtetit, ndërsa ka theksuar se institucioni publik duhet t’i shërbejë publikut dhe jo pushtetit.
“RTK është medium i publikut dhe jo i pushtetit!”, ka deklaruar ai.
Në fund, Luma ka thënë se beson që çështja do të trajtohet nga instancat kompetente dhe gjykatat, duke shpresuar se drejtësia do të vendoset përmes rrugëve ligjore. /Lajmi.net/