Erdogani: S’ka pasur gjenocid ndaj armenëve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar Papë Françeskun, i cili i ka quajtur vrasjet masive të armenëve në Perandorinë Osmane gjatë viteve 1915-1917, si “gjenocidi i parë i shekullit të kaluar”.

Bota

15/04/2015 14:36

“Dua ta paralajmëroj Papën që të mos bëjë gabime të ngjashme përsëri. Kur liderët politikë ose fetarë luajnë rolin e historianëve, ajo çfarë rezulton është kllapi dhe jo fakt , ka thënë presidenti  turk, Erdogan.

Pasi Ati i Shenjtë i bëri komentet për vrasjen e armenëve, në një meshë të veçantë të mbajtur në Vatikan, më 12 prill, Ankaraja u përgjigj duke tërhequr ambasadorin e saj nga Vatikani për konsultime.

Por për të zbutur reagimet e Ankarasë, reagoi edhe kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, i cili nuk e quajti gjenocid, por tha se vrasja e armenëve nga otomanët ishte një ndër krimet më mizore të shekullit të kaluar.

Turqia nuk pranon që vrasjet dhe dëbimet e një milion e gjysmë civilëve armenë të cilësohen si gjenocid, duke thënë se edhe armenët kanë vrarë ushtarë turq.