EPP-ja humb durimin me Aleksandar Vuçiqin: Nis procedura për ndëshkimin e partisë së tij

Partia Popullore Evropiane (EPP) ka ndërmarrë hapa zyrtarë për të nisur një procedurë ndaj partisë në pushtet në Serbi, Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila drejtohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe gëzon statusin e anëtarit të asociuar në këtë grupim. Lajmi u bë i ditur nga eurodeputeti bullgar dhe kryetari i delegacionit bullgar në EPP,…

Lajme

19/09/2026 17:55

Partia Popullore Evropiane (EPP) ka ndërmarrë hapa zyrtarë për të nisur një procedurë ndaj partisë në pushtet në Serbi, Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila drejtohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe gëzon statusin e anëtarit të asociuar në këtë grupim.

Lajmi u bë i ditur nga eurodeputeti bullgar dhe kryetari i delegacionit bullgar në EPP, Andrej Kovaçev, gjatë fjalës së tij në forumin “EU Meets the Balkans”, i cili u mbajt të premten, më 18 shtator, në Sofje, transmeton lajmi.net

Duke kritikuar ashpër qasjen e kreut të shtetit serb, Kovaçev u shpreh se brenda EPP-së ka një mbështetje gjithnjë e më të madhe dhe zëra të fuqishëm kundër SNS-së, duke theksuar se ka ardhur fundi i durimit pasi, sipas tij, Vuçiq ka vite që luan në dy krahë të ndryshëm.

Gjatë fjalimit të tij, eurodeputeti u ndal edhe te politika e liderëve të tjerë evropianë ndaj Beogradit, duke veçuar figurat e Friedrich Merz dhe Emmanuel Macron. Sipas tij, ndonëse Serbia mbetet një vend kyç dhe Evropa ka nevojë për të, mesazhet e deritanishme të udhëheqësve perëndimorë nuk kanë qenë mjaftueshëm të qarta, të ndikuara nga shpresa e gabuar se zotimet e Vuçiqit përkojnë me realitetin në terren./lajmi.net/