Epopeja e UÇK-së, Kurti: Për familjen Jashari kishte kuptim vetëm liria, historia e tyre duhet të përcillet tek brezat në Kosovë dhe jashtë saj
Sot është mbajtur mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës për nder të 28 vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Në këtë mbledhje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fjalën e tij, ka thënë se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullorë drejt lirisë dhe Pavarësisë. “Historia e shteteve…
Lajme
Sot është mbajtur mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës për nder të 28 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Në këtë mbledhje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fjalën e tij, ka thënë se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullorë drejt lirisë dhe Pavarësisë.
“Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarjet që i hapin shteg të ardhmes dhe marsi i 1998-tës është një ngjarje e atillë. Në Prekaz me 5,6 dhe 7 mars 1998, ndodhi një përballje aq e pabarabartë por me domethënie të jashtëzakonshme. Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm kur për 3 ditë e 3 netë vazhdimisht, i bën rezistencë një familje liridashëse, autoktone një shteti policor e okupator”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se pavarësisht se familja Jashari ishte rrethuar nga mijëra forca të armatosura e pajisura me artileri të rëndë dhe mjete ushtarake moderne të kohës, ata kanë luftuar e qëndruar deri në fund duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve.
I pari i ekzekutivit ka thënë se për familjen heroike Jashari, kishte kuptim vetëm liria.
“Këtë ngjarje e bën të pavdekshme vendimi i ndërgjegjshëm i familjes për të qëndruar e për të mos u nënshtruar. Burrat, gratë e fëmijet vendosën që të mos ndaheshin nga kryekomandanti Adem Jashari. Ata qëndruan tokë së bashku nga bindja se liria kërkon sakrificë, e cila nis nga vetja. Me 5 mars 1998, të rinjtë e familjes morën pozicionet e tyre me guxim, gratë e vajzat furnizonin me municion pa ndërprerje. Ishte një qendresë e organizuar dhe e përbashkët. Kullat e tyre u shndërruan në fortesë, familja në simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare ndërsa Prekazi në kryeqendër të kryengritjes popullore”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se pas 5,6 dhe 7 marsit, lufta në Kosovë mori karakter tjetër, ku u rrit mobilizimi njerëzor, u forcua legjitimiteti i rezistencës dhe çështja e Kosovës mori vëmendje të madhe.
“Siç kishte thënë pas kësaj beteje baca Rifat Jashari “humba 56 anëtarë të familjes por fitova zemrat e 7 milionë shqiptarëve”. Gjersa përkujtojmë Epopenë, reflektojmë për përgjegjësinë që kemi ndaj flijimit të tyre. Liria që gëzojmë sot është ndërtuar mbi qëndresën e atyre që nuk u tërhoqen dhe nuk njohin dorëzim”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se historia e familjes Jashari nuk duhet të trajtohet vetëm në aspektin historik por edhe në atë multidiciplinar për të bërë studime të thella, për të nxjerrë vlerësime të sakta dhe për të siguruar e edukuar se si është krijuar ky thesar kombëtar i yni.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, po punojmë që kjo histori, trashëgimi dhe vlerë e jonë kombëtare të dokumentohet, të ruhet dhe të përcillet në brezat e ardhshëm si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë. Lavdi e përjetshme kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë. Qoftë kujtimi i Epopesë së UÇK-së frymëzim i përhershëm që të vazhdojmë të ndërtojmë Republikën e Kosovës me përgjegjësi, drejtësi dhe sovranitet”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/