Engjëll Berisha, laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Niketë Dardani’

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dorëzuar çmimet për fushën e muzikës. Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Niketë Dardani’ i është dhënë Engjëll Berishës.

ShowBiz

17/09/2014 18:53

Engjëll Berisha është fitues i çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Niketë Dardani’ në fushën e muzikës të ndarë të mërkurën nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Po ashtu, në këtë ceremoni u bë edhe dorëzimi i çmimeve vjetore në fushën e muzikës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha se  këto çmime janë një vlerësim për punën e njerëzve që japin shumë për kulturën tonë. Ai tha se çmimet, në veçanti ato në kategori të tjera janë edhe një stimulim për krijuesit e rinj.

 Ai vlerësoi krijimtarinë e akademikut Engjëll Berisha, si dhe përkushtimin e madh të kompozitorëve Zeqiri e Aliqkaj.

“Akademiku, profesori, pedagogu Engjëll Berisha është një personalitet i shquar jo vetëm i Kosovës por i kombit shqiptar, i cili përmbi 50 vite, përmes krijimtarisë e sidomos punës së tij edukative, i ka dhënë shumë skenës dhe muzikës në Kosovë, jo vetëm në shtimin e kuadrove, por edhe rritjes së vlerave dhe standardeve më të avancuara se në të kaluarën”, tha Krasniqi.

Laureati Berisha foli për Niketë Dardanin, i cili është një emër i vjetër i paraardhësve tonë ilirë dhe ai është ndjerë i nderuar që ka marrë këtë çmim dhe ka falënderuar MKRS-në që e ka propozuar që çmimi për vepër jetësore ta mbajë emrin e Niketë Dardanit.

“Përpos punës sime, veprave që kam shkruar, është një kënaqësi e veçantë kur i sheh studentët tu që vazhdojnë të krijojnë në ambientin tonë, që nuk ka traditë shumë të lashtë të muzikës artistike. Tradita e madhe është tradita popullore. Të rinjtë kanë talent të kompozojnë muzikën popullore”, tha Berisha,

Lauretatët e tjerë, Dafina Zeqiri dhe Kreshnik Aliqkaj janë shprehur të nderuar për çmimin dhe kanë thënë se do të vazhdojnë të punojnë në pasurimin e krijimtarisë në muzikën artistike.

Çmimet në fushën e muzikës janë vlerësuar nga anëtarët e jurisë në përbërje të: Trimor Dhomi, Visar Kuqi dhe Misbah Kaqamaku.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Niketë Dardani”, ka vlerën financiare 5 mijë euro, ndërkaq çmimi për veprën më të mirë kamertale 2 mijë euro. E çmimi për veprën më të mirë simfonike- koncertale 3 mijë euro.