Emigrantët, kisha belge apelon të hapen kufijtë
“Pranimi (i emigrantëve) nuk mund të bëhet me vendosje të kushteve që tmerrojnë këta njerëz. Ata nuk duhet të ndihen të detyruar të gënjejnë, të shpikin një histori ose ta ndërrojnë fenë për t’u pranuar më lehtë. Më të rrezikuarit duhet të jenë prioritet e jo personat më rentabël ekonomikisht”, theksojnë peshkopët e Belgjikës.

Bota
Kisha katolike në Belgjikë përmes peshkopëve të saj ka bërë thirrje, të martën, që të “hapen kufijtë” dhe për një “politikë më të përshtatshme të pritjes” së imigrantëve, e cila duhet t’u japë prioritet “më të kërcënuarve”, pa dallim religjioni ose të “rentabilitetit” të tyre ekonomik.
“Peshkopët belgë vlerësojnë se një vend nuk mund të refuzojë pritjen e personave vërtet në nevojë”, thonë përfaqësuesit e kishës belge në një komunikatë, e cila vjen pas thirrjes së Papa Françeskut për mobilizim të katolikëve në të mirë të refugjatëve.
“Pranimi nuk mund të bëhet me vendosje të kushteve që tmerrojnë këta njerëz. Ata nuk duhet të ndihen të detyruar të gënjejnë, të shpikin një histori ose ta ndërrojnë fenë për t’u pranuar më lehtë. Më të rrezikuarit duhet të jenë prioritet e jo personat më rentabël ekonomikisht”, theksojnë peshkopët e Belgjikës.
Në deklaratën e tyre, peshkopët u bëjnë thirrje “pronarëve, famullive dhe shoqatave të vënë në dispozicion banesa dhe të bashkëpunojnë në pritjen, trajnimin dhe shkollimin e refugjatëve”. Po ashtu, ata i bëjnë thirrje popullatës të “mos i nënshtrohen frikës ose moskuptimit”.
Austri, burg trafikuesit me emigrantë
Një trafikant qeniesh njerëzore, i cili kishte transportuar 42 emigrantë të rrasur në gjashtë metra katrorë të furgonit të tij, është dënuar të martën në Austri me tre vjet burg nën akuzën për “Trafikim të njerëzve në kushte jashtëzakonisht të rënda”.
I dënuari është një rumun 37-vjeçar, i cili ishte ndaluar për kontroll në korrik afër Vjenës. Policët në furgonin e tij kishin gjetur së paku 42 persona, të ngjeshur në një sipërfaqe prej shtatë metrash katrorë, në një temperature prej 30 gradësh.
Pas hetimeve është mësuar se emigrantët, afganë, sirianë e irakianë, ishin marrë në Hungari dhe se pa pushim kishin udhëtuar në këto kushte për shtatë orë, transmeton gazeta Zëri.
I pandehuri është shpallur fajtor nga gjykata e Korneuburgut, afër Vjenës, për “Trafikim me njerëz në kushte jashtëzakonisht të rënda” dhe për “Pjesëmarrje në një organizatë kriminale”.
Ai ka thënë se i janë premtuar 1.500 euro për këtë rrugëtim dhe se nuk e ka ditur saktësisht sa persona po transportonte.
“Automjeti kishte kondicioner të mjaftueshëm por me 32 persona të rrasur në gjashtë metra katrorë nuk do shumë mend për të kuptuar kushtet”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.
Moti i keq ul numrin e emigrantëve
Moti me shi dhe i ftohtë ka ndikuar që të bjerë numri i emigranteve, të cilët kalojnë përmes Preshevës për në vend e Bashkimit Evropian. Më 12 tetor, rreth dy mijë njerëz ishin regjistruar në Qendrën e Pranimit. Kjo është një ulje nëse krahasohet me numrin që ka arritur në 10 mijë, kur vetëm në vikend kanë kaluar aq emigrantë.
Migrimet përmes Ballkanit pritet të bien gjatë dimrit, kur kalimin përmes detit duke kaluar nga Turqia për në Greqi është më i rrezikshëm. Tani për tani fluksi i emigrantëve po vazhdon, ku emigrantë nga Presheva kalojnë për në Kroaci dhe pastaj në ndonjë vend tjetër të BE-së.