Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin ekonomik, fokus në investime dhe projekte të reja zhvillimore

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka drejtuar tryezën e rrumbullakët për prioritetet zhvillimore të Kosovës dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Francën, në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Ministrit të Deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad. Sipas një komunikate, në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), France Sport Expertise Group, kompanive franceze, si dhe zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani. Diskutimet…

Lajme

27/07/2026 19:32

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka drejtuar tryezën e rrumbullakët për prioritetet zhvillimore të Kosovës dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Francën, në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Ministrit të Deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad.

Sipas një komunikate, në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), France Sport Expertise Group, kompanive franceze, si dhe zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani.

Diskutimet janë zhvilluar pas nënshkrimit të pesë instrumenteve të reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, përfshirë marrëveshjet për ekstradim, ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, marrëveshjen e kredisë me AFD-në për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, themelimin e Komitetit Francë–Kosovë për Lojërat Mesdhetare dhe zgjerimin e mësimdhënies së gjuhës frënge në Kosovë.

Ministrja Rizvanolli gjatë tryezës prezantoi prioritetet ekonomike të Kosovës, me fokus në tranzicionin energjetik, zhvillimin e kapaciteteve të reja solare dhe të erës, modernizimin e rrjetit energjetik, si dhe zhvillimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore.

Ajo theksoi gjithashtu mundësitë për rritjen e investimeve dhe bashkëpunimit në sektorët e teknologjisë informative, prodhimit, tregtisë dhe infrastrukturës, duke ftuar kompanitë franceze që të marrin pjesë në projektet e ardhshme investuese në Kosovë.

“Franca është një nga partnerët tanë kryesorë evropianë. Ekziston hapësirë e konsiderueshme që marrëdhëniet tona të fuqishme politike të plotësohen me bashkëpunim edhe më të thellë ekonomik, investime të reja dhe projekte konkrete në interes të qytetarëve dhe ekonomive tona”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ndërkaq, ministri francez Benjamin Haddad e ka vlerësuar diskutimin si produktiv, duke thënë se ai përbën fillimin e një bashkëpunimi më të gjerë dhe ambicioz mes dy vendeve.

“Ky është fillimi i diçkaje më të madhe dhe shumë më ambicioze. Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi shumë të mirë për ta nxitur dhe thelluar bashkëpunimin tonë”, ka thënë Haddad.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për rolin e Agjencisë Franceze për Zhvillim në mbështetjen e projekteve në energji, infrastrukturë dhe sport, si dhe për kontributin e ekspertizës franceze në organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe për ta shndërruar bashkëpunimin Kosovë–Francë në projekte konkrete që nxisin investimet, zhvillimin e qëndrueshëm dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike. /Lajmi.net/