Abdixhiku para Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së: Do të hyj me bindje, qetësi dhe besim tek njerëzit tanë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar para Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, i cili është thirrur për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit. Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se ky është Kuvendi i katërt i LDK-së gjatë pesë viteve të udhëheqjes së tij, duke theksuar se në tri raste më herët ka kërkuar vetë besimin e anëtarësisë. Ai ka vlerësuar se procesi aktual është i panevojshëm dhe…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar para Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, i cili është thirrur për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se ky është Kuvendi i katërt i LDK-së gjatë pesë viteve të udhëheqjes së tij, duke theksuar se në tri raste më herët ka kërkuar vetë besimin e anëtarësisë.
Ai ka vlerësuar se procesi aktual është i panevojshëm dhe i dëmshëm për partinë, por ka theksuar se do ta respektojë vendimin e strukturave dhe të delegatëve.
“E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se, pavarësisht qëndrimit të tij për këtë proces, demokracia kërkon përballje dhe respektim të vendimeve të saj.
“Demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Unë e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku u ka bërë thirrje delegatëve të LDK-së që të qëndrojnë dhe të marrin pjesë në vendimmarrjen për të ardhmen e partisë.
“Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë. Dhe në këtë rrugëtim, do të qëndroj”, ka shkruar ai.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të mbahet më 30 korrik, ku do të vendoset për të ardhmen e udhëheqjes së partisë.
“Të enjten, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, ka përfunduar Abdixhiku. /Lajmi.net/