Elezi: Më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se afati 11-ditor për subjektet politike do të përfundojë të martën në mesnatë. “Më 12 maj, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për…
Lajme
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se afati 11-ditor për subjektet politike do të përfundojë të martën në mesnatë.
“Më 12 maj, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.
Sipas Elezit, numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke i përmbyllur gradualisht afatet zgjedhore që ndërlidhen me subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas përfundimit të periudhës për njoftimin e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimin e koalicioneve nga partitë politike, si dhe aplikimin për certifikim nga subjektet e reja politike, tani jemi në fazën e shqyrtimit të aplikimit nga subjektet e reja politike dhe dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë. Pas përmbylljes së këtyre çështjeve, KQZ, gjatë kësaj jave do të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 7 qershorit”, tha Elezi.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidatë i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësonin këto subjekte politike ishte 1,279.
Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 dhjetorit, KQZ certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë, që përfaqësonin 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.