‘El Clasico’: Cilat taktika mund të huazojë Setien nga fitorja e Guardiolas kundër Real Madrid?
E gjithë vëmendja e futbolldashësve është tek ‘El Clasico’ që do të luhet sonte, me fillim nga ora 21:00, ndërmjet Real Madrid dhe Barcelonës.
Sport
Para kësaj ndeshje, Real Madrid vjen nga një humbje e pësuar në Ligën e Kampionëve, ndaj Manchester City, skuadër e cila udhëhiqet nga Pep Guardiola.
Duket se Quique Setien mund të marrë disa mësime nga gjeniu spanjoll se si të mposhtet Real Madrid, në klasiken e së dielës.
Cilat metoda të Guardiola mund t’i përdorë Setien? Më poshtë lajmi.net ua përcjell pikat kyçe (të identifikuara nga ‘Marca’) me të cilat Guardiola theu Real Madridin.
Frenimi i Carvajal:
Guardiola linte Sergio Agueron në bankën e rezervistëve për të startuar me Gabriel Jesus, i cili u la në krahun e majtë, për të penguar Dani Carvajal që të lëshohet në fazën ofensive.
Një gjë të tillë mund ta bëjë edhe Setien, duke përdorur Antoine Griezmann ose Martin Braithwaite.
Kur pati nevojë për më shumë shkëndijim, Guardiola futi në lojë Raheem Sterling, i cili me Jesus, sulmonin anën e Carvajal. Ansu Fati mund të jetë opsioni ekstra për 20 minutat e fundit.
Motori i De Bruyne:
Mesfushori belg ishte një kërcënim permanent për portën e Real Madrid. Ai startoi në mesfushën me tre lojtarë, duke shtyrë përpara gjatë gjithë ndeshjes, duke thyer linjat e Real Madrid.
Frenkie de Jong është lojtari te Barcelona që mund të bëjë një gjë të tillë, me Sergio Busquets që do të qëndronte në pozicionin e tij të përhershëm, si mesfushor i tërhequr.
Pasimet e gjata nga portieri:
Marc – Andre Ter Stegen ka regjistruar dy asistime deri më tani në La Liga, falë inteligjencës së tij dhe vizionit për topat e gjatë.
Ederson tentoi të gjente sulmuesit e tij në disa raste, duke thyer dy linjat e presingut të Real Madrid, me lojtarët që nuk prisnin ato pasime.
Lionel Messi:
Triku kryesor i Setien quhet Lionel Messi. Argjentinasi ka shënuar 11 herë në ‘Santiago Bernabeu’ në kuadër të ligës, dhe është padyshim lojtari që krijon më së shumti rrezik para portës kundërshtare.
Messi nuk ka shënuar në asnjë nga katër klasiket e sezonit të fundit, dhe me titullin në ndjekje, ai shkon në Madrid për tri pikët.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë taktikat që do të përdoren sonte nga Quique Setien. Thuhej se pas ndeshjes së Manchester City kundër Real Madrid, Setien është takuar me Guardiolan, me të cilin ka biseduar gjatë. Sonte mund të vërehen këshillat e katalanit. /Lajmi.net/