Ekzekutimi i Jurgen Kurtit, historia e akuzave ndaj tij për dy vrasje

Jurgen Kurti, një personazh aspak i panjohur për drejtësinë apo edhe botën e showbizit, u ekzekutua mbrëmjen e djeshme poshtë banesës së tij në kryeqytet.

Lajme

19/03/2019 08:48

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:45 minuta, në një nga zonat më të populluara të Tiranës.

Ende nuk dihet se kush janë autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa nga hetimet paraprake, burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja mund të ketë motiv hakmarrjen.

Kjo pasi, 26-vjeçari që konsiderohej si menaxheri i VIP-ve, brenda 2 viteve është akuzuar për dy vrasje.

Njëra akuzë ka qenë për vrasjen e të atit në banesën që ndodhi ngjarja e mbrëmshme dhe akuza tjetër ishte për vrasjen e të ndjerit Agim Arapi, një pronar marketi në qytetin bregdetar të Durrësit.

Pavarësisht këtyre, Jurgen Kurti arriti të dilte i pafajshëm nga dyert e gjykatës, por akuzat ndaj tij reshtën asnjëherë. Për vrasjen e babait të tij, autorësinë e mori përsipër daja i Jurgenit, i cili theksoi para gjykatës se e kishte qëlluar viktimën për vetëmbrojtje, çka bëri që 26-vjeçari të dalë i pafajshëm. Ndërsa për vrasjen e ndodhur në qytetin e Durrësit, Jurgeni është liruar nga gjykata për mungesë provash ndaj tij. Por, akuzat nga bashkëshortja e viktimës, Vjollca Arapi, nuk reshtën asnjëherë se bashkëshortin ia vrau Jurgen Kurti.

Më poshtë rendisim historitë e dy ngjarjeve, vrasja e Artur Kurtit që ka ndodhur më 4 prill 2016 dhe vrasja e Agim Arapit që ka ndodhur më 11 prill 2017.

Vrasja e babait sipas Jurgen Kurtit (Shkëputur nga dosja e prokurorisë, e publikuar nga gazeta “Shekulli”)

Jurgen Kurti ka treguar se si ndodhi ngjarja ku mbeti i vdekur babai i tij, Artur Kurti. Ai ka treguar se, më datë 04. 04. 2016, rreth orës 18:00, Shpresa Kurti, pas pune e ka marrë atë në telefon dhe, së bashku janë takuar në banesën e tyre. Viktima pasi kishte qëndruar dy orë me të dashurën e tij (marrëdhënie jashtëmartesore prej 6 vite), rreth orës 18:15 minuta ka shkuar në banesën ku jetonte bashkëshortja e tij e veçuar dhe i biri, duke i rënë derës së banesës. Nga syri magjik, Shpresa ka parë viktimën që thoshte: Hape derën, dua të them tre fjalë. Pasi dera nuk i është hapur, viktima ka filluar t’i binte derës me shqelma, shante. Viktima ka zbritur poshtë pallatit dhe ka marrë në telefon bashkëshorten e tij, e cila i ka thënë që nuk është në banesë. Pas kësaj, ai i bërtiste duke e sharë dhe ofenduar. Në këtë moment, Shpresa Kurti ka marrë në telefon vjehrrën e saj, duke i thënë që të merrte Arturin në shtëpinë e saj, pasi kishte frikë se ai mund të shante edhe djalin kur të dilte jashtë me atë fjalor në rrugë. Për këtë ngjarje kanë marrë dijeni edhe shërbimet policore, por nga ngatërrimi i adresës së rrugës nuk është mundësuar mbërritja e tyre. Viktima Artur Kurti, rreth orës 21:10, nga banesa e tij ku jetonte me të ëmën, i ka telefonuar Shpresës dhe telefonin e ka ngritur i vëllai i saj, Leonardi. Edhe këtë, Arturi e ka sharë dhe ofenduar, e pas kësaj telefonate pas disa minutash ka rënë zilja e derës së banesës ku jetonte Shpresa dhe Jurgen Kurti dhe për të hapur derën ka shkuar gruaja e shtëpisë. Ajo ka hapur derën, ndërsa Arturi ka filluar ta shtyjë atë pasi nuk e lejonte të hynte në banesë. Në këtë moment, Arturi ka nxjerrë një thikë të madhe me bisht të kuq dhe menjëherë Shpresa është tërhequr për në brendësi të banesës pasi ndodheshin tek dera e jashtme. Viktima me këtë thikë po godiste vëllanë e saj, Leonardin, i cili është rrëzuar në dysheme dhe me këmbët lart përpiqej të mbrohej për të mos lejuar Arturin t’i afrohej me thikë dhe ta godiste përsëri. Në dyluftim e sipër, i pandehuri i shtrirë me kurriz në dysheme dhe viktima sipër tij me thikë duke e goditur, i ka kapur dorën për t’i marrë thikën. Pasi i merr thikën duke ia tërhequr me forcë, Leonardi e ka goditur në pjesën e kraharorit. Në këtë moment, Jurgen Kurti i frikësuar nga kjo ngjarje ka dalë nga banesa duke i lënë vetëm babanë dhe dajën e tij. I pandehuri ka zbritur poshtë pallatit dhe aty ka parë nipin e tij dhe të dy së bashku janë nisur për te spitali i Traumës për të marrë ndihmën mjekësore. Gjatë rrugës, i pandehuri së bashku me nipin e tij, pasi kanë parë një patrullë policie, kanë ndaluar dhe i pandehuri i ka treguar atyre për ngjarjen. (Kjo ishte ngjarja e treguar nga Jurgen Kurti në Prokurori)

Vrasja e Agim Arapit, 11 prill 2017 (Shkëputur nga intervista që Vjollca Arapi më 21 tetor 2017, duke treguar ngjarjen dhe akuzat ndaj Jurgenit)

Më 11 prill të vitit 2017, i kërkoj Jurgen Kurtit qiranë e një tubi aspirimi që kalonte nëpërmjet pronës time. Ne kishim bërë një kontratë që të më jepte 13 mijë lekë të reja. Dy javë para kësaj date, Jurgen Kurti bëri fjalë me burrin tim se mbeturinat që kishin tek lokali, vinin të gjitha tek salloni jonë. Në këtë moment, burri im i thotë që unë nuk e kam shtëpinë magazinë dhe hiqi këto që keni vënë këtu. Ata kishin një volum pune shumë të madh. Por, për t’i bërë nder dhe për të mos prishur qejfe se ishim dhe komshinj, të kalonim mirë, Jurgeni u soll shumë keq me burrin tim, dy javë para se të ndodhte vrasja e Agimit. Si përfundim, vjen data e qirasë. E kishte për ta dhënë më datë 8 dhe nuk ma dha. Më pas, Jurgeni parkon makinën tek shtëpia ime, përpara dyqanit tim ku punonim të dy burrë dhe grua se s’kishim njeri tjetër. Këtu i them Jurgenit: O Jurgen, ka kaluar data e qerasë, kur do të ma japësh. Kurse ky ma ktheu: E di ç’ke ti, mos më çaj kokën. Kishte inat me burrin tim që para dy javësh. “Mos më çaj kokën shumë, se e di ç’të bëj, të kap e të vras”, më tha. U tmerrova kur tha kështu, se ishte bërë dhe i bardhë, borë. Dhe ia ktheva: Qyqa i thash, po t’i s’qenke burrë, qenke “stronzo”. Unë të besova se deri dje mu ule në gjunjë e më thoshe s’ke punë me Koçon (vjehrri i tij) se ta jap unë qeranë. Kaloi 20 minuta dhe vetëm kur më merr vjehrri i Jurgenit në telefon. Po t’i ça ke pas me Jurgenin më thotë, prit aty se do të vras. Të gjitha këto janë të pastra, se janë zbardhur edhe nga tabulatet e telefonit. Dhe burri im i shkretë më thoshte: Vjollca, ky ka vrarë babën e vet, kushedi se çfarë tipi do të jetë. Jo i thosha unë, po ta kishte vrarë do të ishte në burg. I besova vetes unë dhe tani vet e hëngra.

Çfarë ndodhi më pas?

Pastaj, nuk kaloi as gjysmë orë, kur vjen Kostandin Ekonomi dhe mbyll qepenin e dyqanit. Aty kam qenë vetëm unë me atë. Burri im, Agim Arapi është ngjitur lart në shtëpi për të ngrënë bukë. Por, më përpara foli burri im me Jurgenin dhe i tha: Po ty s’të vjen turp që i flet kështu, ajo është nëna jote. U nevrikos ai. Ngjitet Agimi lart në shtëpi që të hante dhe do zbriste prapë se do shikonte sportin, luante Interi atë natë. Unë shtëpinë e kam të gjithë me kamera dhe çfarë bëhet aty duket mjaft qartë. Unë jetoj në katin e dytë të ndërtesës, ndërsa dyqanin e kam në katin e parë. Ndërkohë, kur mbylli qepenin e dyqanit Kostandini, Agimi zbriti poshtë, ku si duket e ka parë nga kamerat se çfarë po ndodhte ose ka zbritur rastësisht se ndoshta s’ka pasur bukë sipër. Kur shikon që Kostandini ishte mbyllur me mua dhe më kishte kapur nga krahët duke më thënë: Ç’punë ke ti me Jurgenin. Ky ishte sherri. Burri im hap qepenin dhe futet brenda. Më shikon mua me atë dhe i thotë Kostandinit: O Koçi, ç’punë ke ti me të. Kapen me njëri-tjetrin pastaj fyt më fyt. I them Koçit: O Koç mos ngit atë se, Gimi është me koronare, është gjynah. Kur vjen Jurgeni, vjen dhe vëllai i Kostandinit, Kujtimi dhe u krijua një situatë e rëndë. Ndërsa unë u lemerisa, sepse isha aty, shikoja si i gjuanin burrit tim. Dola kërkoja ndihmë, por asnjë nuk erdhi. Nuk e kuptoj sesi por, erdhi policia më pas dhe i arrestuan këta të tre. Ndërkohë, unë burrin e gjej në tokë, pa ndjenja. I shikoj pulset dhe ishte gjallë, por i masakruar në mënyrën më ç’njerëzore. Agimi doli i masakruar nga ajo derë. Akuza e ngritur ndaj Jurgen Kurtit, Kostandin dhe Kujtim Ekonomi ishte “vrasje me dashje”. Në gjyqin e dytë dhe të tretë mua nuk më ka njoftuar askush që Kostandin Ekonomi doli i pafajshëm. O është çmendur gjykata, ose është çmendur ligji.