Alarmi i ekspertit të sigurisë, Berisha: Sulmet kibernetike mund ta paralizojnë edhe infrastrukturën kritike të Kosovës

Eksperti i sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka folur lidhur me sulmet kibernetike ndaj marketeve dhe objekteve të ruajtjes së gjakut në Francë, duke shpjeguar se si hakerët mund të marrin kontrollin e sistemeve industriale të ftohjes dhe të ndryshojnë temperaturat e tyre nga distanca. Berisha në një prononcim për lajmi.net ka thënë se këto sisteme,…

Lajme

04/11/2026 23:23

Eksperti i sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka folur lidhur me sulmet kibernetike ndaj marketeve dhe objekteve të ruajtjes së gjakut në Francë, duke shpjeguar se si hakerët mund të marrin kontrollin e sistemeve industriale të ftohjes dhe të ndryshojnë temperaturat e tyre nga distanca.

Berisha në një prononcim për lajmi.net ka thënë se këto sisteme, të cilat kontrollohen përmes kompjuterëve dhe në shumë raste kanë qasje në internet, mund të bëhen cak i sulmeve nëse nuk janë të mbrojtura siç duhet.

“Autoritetet e sigurisë kibernetike kanë identifikuar probleme të sigurisë sikur pajisje të ekspozuara drejtpërdrejtë në internet e edhe fjalëkalime të dobëta”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, kur këto sisteme janë të ekspozuara në internet dhe kanë fjalëkalime të dobëta, hakerët mund të marrin qasje dhe të ndryshojnë parametrat e temperaturës, por edhe kontrolle të tjera që i lejon sistemi që i menaxhon.

Duke folur për natyrën e këtyre sulmeve, Berisha ka theksuar se metodat e përdorura nuk janë domosdoshmërisht të reja apo shumë të sofistikuara, por ajo që i bën shqetësuese është ndikimi i drejtpërdrejtë në botën fizike.

“Ajo çka i bën të dallueshme e shqetësuese janë pasojat e tyre në botën fizike”, ka thënë Berisha.

Ai ka shpjeguar se, ndryshe nga sulmet ku synohet vjedhja e të dhënave apo bllokimi i sistemeve, në këto raste dëmi mund të jetë fizik dhe të prekë shërbime të rëndësishme për shoqërinë.

“Por këtu dëmi është direkt fizik dhe që ndikon në shërbime të rëndësishme për shoqërinë, sikurse dëmtimin e produkteve ushqimore”, ka deklaruar ai.

Berisha ka përmendur edhe sulmin e njohur STUXNET të vitit 2010, i cili kishte shënjestruar programin bërthamor të Iranit dhe kishte ndikuar në centrifugat për pastrimin e uraniumit.

“Por, rastet e fundit tregojnë se sulmet kibernetike mund të rrezikojnë edhe shërbimet esenciale si ato shëndetësore dhe të furnizimit me ushqim”, ka theksuar eksperti.

Sa u përket motiveve që mund të qëndrojnë prapa sulmeve në Francë, Berisha ka përmendur disa mundësi, përfshirë sabotimin ekonomik, demonstrimin e aftësive nga grupet e hakerëve, por edhe motivet politike e gjeopolitike.

“Një mundësi mund të jetë sabotimi ekonomik, pra shkaktimi i dëmeve financiare dhe çregullimi i funksionimit të bizneseve apo shërbimeve. Tjetër mundësi mund të jetë demonstrimi i aftësive nga grupe hakerësh, që dëshirojnë të tregojnë se mund të ndërhyjnë edhe në këto sisteme”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas Berishës, një prej mundësive është edhe motivi politik e gjeopolitik, përmes operacioneve që synojnë krijimin e pasigurisë dhe dobësimin e besimit të qytetarëve në institucione.

“Sulme të tilla janë pjesë e operacioneve hibride që lansohen nga shtete në drejtim të shteteve tjera”, ka deklaruar Berisha.

Lidhur me dyshimet nëse sulmet ndaj marketeve dhe objekteve të ruajtjes së gjakut në Francë janë të koordinuara dhe kanë autorë të njëjtë, eksperti ka thënë se ekzistojnë elemente që e bëjnë të arsyeshëm këtë dyshim, por se provat ende mungojnë.

“Pra, ka ngjashmëri në mënyrën e ndërhyrjes, ku janë manipuluar parametrat e sistemeve të ftohjes. Kanë ndodhur në të njëjtën periudhë kohore dhe element tjetër me rëndësi është përdorimi i kompanive të jashtme për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve”, ka shpjeguar ai.

Berisha ka shtuar se një mundësi është që sulmet të jenë kryer përmes ofruesve të shërbimeve, ku komprometimi i një kompanie mund të ndikojë te disa klientë.

Në fund, ai ka paralajmëruar se sistemet industriale të ftohjes janë mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve, veçanërisht kur përdorin teknologji të vjetëruar dhe nuk kanë mekanizma të përshtatshëm sigurie.

“Një problem i veçantë është se shumë pajisje industriale kur janë krijuar qëllim kanë pas funksionalitetin dhe besueshmërinë operative, ndërsa siguria kibernetike nuk ka marrë shumë vëmendje. Ka munguar ose ka qenë i mangët koncepti ‘Secure by Design’”, ka thënë Berisha.

Ai ka theksuar se pajisjet e tilla shpesh përdoren për shumë vite pa u përditësuar rregullisht, duke u krijuar mundësi sulmuesve të shfrytëzojnë dobësi të njohura prej kohësh.

“Kur lidhja me internet e këtyre pajisjeve është krahas kontrolleve të dobëta të sigurisë sikurse fjalëkalimet e dobëta, përditësimet jo të menaxhuara si duhet të sigurisë, mos-izolimi si duhet i internetit ku bëjnë pjesë këto pajisje, mundësia e sulmit nga hakerët bëhet shumë e madhe dhe që nuk kërkon aftësi jashtëzakonisht të avancuara për ta bërë një gjë të tillë”, ka përfunduar ai.

Berisha ka folur edhe për rrezikun që sulme të tilla të prekin Kosovën, duke theksuar se asnjë shtet nuk mund të konsiderohet plotësisht i mbrojtur nga këto kërcënime.

Sipas tij, rëndësi të veçantë kanë trajnimi i personelit, standardet e sigurisë dhe mbikëqyrja e vazhdueshme e pajisjeve.

“Asnjë vend nuk është imun ndaj sulmeve të tilla, pasi shpesh mjafton një hallkë të jetë më e dobët dhe mund të shkaktojë të bjerë i gjithë sistemi mbrojtës. Pra, parimisht çdo pajisje e cila mund të menaxhohet nga larg (jo-fizikisht) është target potencial dhe asnjëherë nuk mund të thuhet se është i mbrojtur aq mirë sa nuk rrezikohet. Megjithatë, rreziku bie drastikisht nëse personeli që operon me këto pajisje jo veç që është i vetëdijshëm për këto rreziqe, por është edhe i mirëtrajnuar dhe kjo të bëhet vazhdimisht, si për operimin e sigurt të pajisjeve ashtu edhe për higjienën e mirë të sigurisë kibernetike. Pastaj shumë e rëndësishme që kosto e ulët të mos jetë faktori kryesor në procesin e pajisjes me të tilla pajisje, pasi ato zakonisht kanë mungesë të skajshme të kontrolleve të sigurisë. Të shmangen produktet nga vendet sikurse Kina, dhe kompanitë, apo institucionet që operojnë me pajisje të kësaj rëndësie të kenë ekip të sigurisë kibernetike të cilët krijojnë, përcjellin, auditojnë e përmirësojnë në mënyrë të vazhdueshme kontrollet e sigurisë, qoftë të pajisjes ashtu edhe të ekspozimit të tyre në rrjet. Çka e bën Kosovën ndoshta më të rrezikuar është të mos-qenurit pjesë e BE-së, ku shumë kontrolle të sigurisë edhe janë të obliguara, por kjo duhet edhe mund të përmirësohet nëse kompanitë e institucionet që operojnë pajisje të kësaj rëndësie veç plotësimit të kushteve që i përmenda më sipër të pajisen me standardet e kërkuara të sigurisë e t’i mirëmbajnë ato”, tha ai./lajmi.net/