Ekskluzive: Largimi i Remzi Ejupit, Prishtina identifikon pasuesin
Pas më shumë se dy dekada, presidenti Remzi Ejupi nuk do jetë më në kreun e FC Prishtinës.

Sport
Skuadra e Prishtinës do të përballet me disa ndryshime radikale, pas një periudhe jashtëzakonisht të dobët në xhirot e fundit – ose thënë më mirë sezonin e fundit.
Rezultatet e dobëta të skuadrës nga kryeqyteti nuk kanë arritur të shmangën as pas ndryshimeve rrënjësore në fondin e lojtarëve. Kjo u pa në ndeshjen e parë të stinorit të ri, ndaj Malishevës.
Humbja e fundit i dha ‘goditjen’ e fundit krizës së ‘epokës Remzi Ejupi’.
Situata tashmë duket kështu: Ejupi para pak ditëve ka konfirmuar largimin nga Prishtina, skuadër tek e cila ka investuar tash e sa vite.
“Lajmi.net” ka kontaktuar burimet e veta në klubin e Prishtinës, të cilët konfirmojnë se tashmë kanë identifikuar pasuesin e Ejupit.
“Si pasues i Ejupit, me shumë gjasë do të jetë Rrahman Haradini, i cili ka mbi 60% të aksioneve në klub”, ka thënë burimi brenda Prishtinës.
“Gjithçka është e kryer, dhe pritet vetëm aprovimi i Haradinit, i cilit jeton jashtë shtetit”, mëson tutje lajmi.net.
Kësisoj, bëhet e ditur se Prishtina ka gjetur tashmë zëvendësuesin e Remzi Ejupit dhe është në pritje të konfirmimit nga personi në fjalë.
‘Plisat’ mund të shpresojnë për një start të një epoke më të mirë për skuadrën.
Remzi Ejupi e lë skuadrën e Prishtinës në një krizë rezultatesh dhe lëvizjeve të gabuara në merkato (e sipas shumë mediave edhe në krizë të pagave). Prishtina është aktualisht e renditur në pozitën e pestë, me 24 pikë të tubuara në 19 ndeshje – 13 më pak sesa liderët e Superligës, Drita. /Lajmi.net/