Ekskavatori i Komunës (Video)
Komuna e Prishtinës më saktësisht Drejtoria e Inspeksionit deri më tani ka rrënuar 26 gërmadha të shtëpive të vjetra të cilat paraqisnin rrezik për qytetarët. Po ashtu janë rrënuar 14 mure, ndërsa janë 40 objekte të cilat do të rrënohen ditët dhe javët në vijim.
Lajme
Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla, të martën gjatë prezantimit të disa prej punëve të më të mëdha që ka bërë drejtoria e tij, në një konferencë për media, tha se kanë bërë identifikimin e të gjitha vendeve të cilat paraqesin rrezik për qytetarët.
“Ne kemi identifikuar të gjitha ato objektet, kënde të cilat potencialisht janë të rrezikshme për shëndetin publikë, të qytetarëve si në aspektin e mbeturinave, e qeneve endacakë po ashtu edhe në rrezikshmërinë e shembjeve të shtëpive të braktisura”.
“Po ashtu kemi identifikuar shumë objekte në të cilat kanë qenë të rrezikshme për banorët për rreth, por në përgjithësi për qytetarët e Prishtinës”.
“Deri tash kemi rrënuar 26 gërmadha të shtëpive, kemi rrënuar 14 mure dhe po ashtu kemi identifikuar edhe 40 objekte tjera të cilat janë në radhë për tu rrënuar”, ka thënë Sveçla.
Ai po ashtu tha se kanë identifikuar edhe 175 deponi ilegale të bërllokut, ku deri më tani janë pastruar 70, duke përmendi rastin në lagjen “Dardania”, ku sipas tij nuk ka asnjë deponi të bërllokut dhe pastrimin e ‘Fushës së Pajtimit’.
Duke folur për ndërhyrjet e fundit në lagjen “Ismet Krasniqi”, ku banorë të kësaj lagje kanë lëshuar pronat e tyre për ndërtimin e trotuareve, drejtori i Inspeksionit i ka falënderuar ata, dhe ka bërë të ditur se falë kontributit të tyre 80 për qind e kësaj rruge tani është me me trotuar.
“Në momentin kur ne kemi filluar rrënimin janë lajmëruar edhe shumë pronar të shtëpive për rreth të cilët po ashtu kanë shprehur gatishmërinë që të lirojnë hapësirat nga pronat e tyre”.
“Ne kemi bërë rrënimin e 14 mureve në rrugën “Ismet Krasniqi, tashmë diku 80 për qind e rrugëve ka trotuare”, ka thënë ai.
Svelça ka përmendur si problem serioz edhe çështjen e qeneve endacakë ku ka thënë se komuna ka angazhuar një kompani për largimin e tyre, por për ta zgjidhur këtë probleme ai ka kërkuar edhe angazhimin e organeve tjera. (lajmi.net)