Ekonomia lart vetëm në postimet e Muratit dhe fjalimet e Kurtit – Sondazhi i “IRI” e rrëzoi këtë propagandë
Një sondazh i fundit i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), i realizuar gjatë muajve maj–qershor 2025, ka dhënë një panoramë të qartë të pakënaqësisë në rritje të qytetarëve të Kosovës ndaj drejtimit të vendit dhe lidershipit aktual. Sipas të dhënave, 56% e të anketuarve besojnë se vendi ka nevojë për ndryshim, një sinjal i fortë që…

Lajme
Një sondazh i fundit i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), i realizuar gjatë muajve maj–qershor 2025, ka dhënë një panoramë të qartë të pakënaqësisë në rritje të qytetarëve të Kosovës ndaj drejtimit të vendit dhe lidershipit aktual.
Sipas të dhënave, 56% e të anketuarve besojnë se vendi ka nevojë për ndryshim, një sinjal i fortë që rrëzon përpjekjet e qeverisë së Albin Kurtit për ta paraqitur situatën si të stabilizuar dhe në progres, transmeton lajmi.net.
Ndër ata që mbështesin idenë e ndryshimit, 44% kërkojnë përmirësim të situatës ekonomike dhe drejtësisë sociale, ndërsa 38% janë të qartë në qëndrimin e tyre: është koha për ndërrim të liderëve politikë dhe partive në pushtet. Pjesa tjetër kërkon ndryshime në standardet kulturore, arsimore dhe administrative, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit, një problem që, edhe pse nuk përmendet si prioritet nga të gjithë, mbetet thellësisht i rrënjosur në perceptimin publik.
Kur vjen puna te performanca e qeverisë, vetëm 13% e vlerësojnë si “shumë të mirë”, ndërsa 38% e konsiderojnë “disi të mirë”. Por këto përqindje nuk i mjaftojnë Kurtit për t’u lavdëruar, sidomos kur 22% e shohin si “disi të keqe” dhe 25% si “shumë të keqe”. Shumica e qytetarëve – 50% – mendojnë se politikanët aktualë nuk janë drejtuesit e duhur për të ardhmen dhe kërkojnë një lider të ri, ndërsa vetëm 44% ende besojnë se lidershipi aktual është i përshtatshëm.
Kur qytetarët u pyetën se cili është problemi më i madh që përballet vendi, 45% u shprehën se kostoja e jetesës dhe çmimet e larta janë sfida kryesore. Papunësia vijon të mbetet një tjetër shqetësim madhor, duke u përmendur nga 19% e të anketuarve, ndërsa korrupsioni u rendit nga 6% si problemi kryesor, një tregues se edhe pse nuk shihet si sfidë e menjëhershme, mbetet i pranishëm në jetën e përditshme.
Përkundër pretendimeve të vazhdueshme të Kurtit dhe kabinetit të tij për “rritje ekonomike”, “mirëqenie sociale” dhe “prosperitet gjithëpërfshirës”, realiteti në terren – siç reflektohet në këtë sondazh – tregon të kundërtën. Rritja e çmimeve, mungesa e vendeve të punës dhe zhgënjimi nga udhëheqësit janë faktorët që e kanë larguar qytetarin nga narrativa zyrtare dhe e kanë sjellë në një pikë ku ndryshimi shihet si e vetmja zgjidhje./lajmi.net/