Ekipi ideal i gjysmëfinales së Botërorit

Gjysmëfinalja e Botërorit na solli dy ndeshje mjaft interesante. Në të parën, Gjermania dhuroi spektakël ndaj Brazilit, e në të dytën Argjentina e mposhti Holandën me penallti. Njihuni me ekipin ideal të gjysmëfinales.

Sport

10/07/2014 23:03

Pas përfundimit të ndeshjeve gjysmëfinale të Botërorit, është koha për t’i bërë disa llogari.

Në fakt, Gjermania e mposhti me lehtësi Brazilin, duke i dhënë leksion, 7:1, në duelin e parë, ndërsa në atë të dytë, Argjentina e preu biletën për finale vetëm falë fitores me penallti ndaj Holandës, pasi loja e rregullt dhe vazhdimet përfunduan, 0:0.

Ky është momenti ideal për ta zbuluar ekipin më të mirë të gjysëmfinales, edhe pse ndoshta në të do ta meritonin të futeshin të gjithë futbollistët gjermanë, që bënë lojë fenomenale.      

Ekipi ideal

Romero: Devijimi i gjuajtjes së Sneijder i dha fund pritjeve të argjentinasve për të shkuar në finalen e një botërori.

Lahm: Përballë Brazilit, mbrojtësi legjendar dha dy pasime për gol.

Hummels: Elegant, preciz  dhe i vendosur. Duelin me Thiago Silvën për të vendosur se cili prej tyre është më i miri në botë në rolin e vet.

Garay: Ishte një siguri e madhe për argjentinasit në mbrojte.

Howedes: Nga ndeshja në ndeshje u bë një element shumë i rëndësishëm në formacionin gjerman.

Mascherano: Devijimi i gjuajtjes së Robben i hapi rrugën Argjentinës për në finale.

Khedira: Një motor që punon gjithmonë dhe që nuk i shterojnë energjitë.

Kroos: Kundër Brazilit shënoi dygolëshin më të shpejtë në historinë e Botërorëve.

Muller: Është një bletë punëtore.

Klose: Rekordi sigurisht që e fut dhe atë në formacionin më të mirë.

Schurrle: Është lojtari i 11 më i mirë i këtyre dy gjysmëfinaleve.