Edi Rama godet Blendi Fevziun dhe Baton Haxhiun: Keni 7 udhëtime së bashku në Amerikën Latine, hanin llapingachos në Ekuador
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së gazetarit Blendi Fevziu në emisionin Opinion, se ‘ka informacione se të paktën shtatë ministra janë në udhëtime private në fundjvava’, por se sipas Fevziut, ‘ata po lënë kaseta me inspektime nëpër tv sikur janë në punë’. Rama shkruan se në fakt, Fevziu dhe Baton Haxhiu…
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së gazetarit Blendi Fevziu në emisionin Opinion, se ‘ka informacione se të paktën shtatë ministra janë në udhëtime private në fundjvava’, por se sipas Fevziut, ‘ata po lënë kaseta me inspektime nëpër tv sikur janë në punë’.
Rama shkruan se në fakt, Fevziu dhe Baton Haxhiu kanë 7 udhëtime në Amerikën Latine dhe ka publikuar hartën e udhëtimeve të tyre me aeroplan.
Ja postimi i plotë i Ramës:
Blendi Fevziu i paskej rënë fort fare mbrëmë këmbanës së alarmit, duke deklaruar live në sallonin e tij se ka me fakte që “të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë”…
“Këtë jua garantoj”, ka thënë Fevziu, duke shtuar se “kjo është praktikë e paprecedentë, jashtë çdo standardi demokratik dhe nuk përdoret në asnjë vend tjetër të botës”.
Jo vetëm garancia e dhënë nga Fevziu nuk gjen mbështetje në asnjë fakt të regjistrit të udhëtimeve të ministrave (të cilët edhe kur dalin për arsye personale jashtë vendit e bëjnë me një kërkesë për leje dhe vetëm me miratim) po është kaq larg realitetit, sa edhe vetë fakti që prej vitesh s’ka më kaseta në nahijen tonë:-)
E vetmja arsye që unë i gjej kësaj bubullime janë 7 udhëtimet e fundit të Fevziut në Amerikën Latine, ku Fevziu bashkë me Baton Haxhiun, andej hante mëngjes me llapingachos në Ekuador ose rrufiste kafen e famshme Caranavi 8500 këmbë mbi nivelin e detit në Bolivi dhe këtej grindej live në
Opinion deri në mesnatë po me Batonin – natyrisht bashkë me korin e llazoreve të sallonit të tij – sa për kronikën e zezë të javës e sa për përgjimet e zbardhura të ditës…
E që të jem korrekt me faktet, udhëtimet mbetën 6 sepse teksa kaseta e TV Klanit, transmetonte Fevziun që i kërkonte llogari live natën në ekran policisë shqiptare për gjendjen e rendit publik, Fevziu i vërtetë i jepte llogari live paradite policisë venezuelane pse dreqin donte të hynte në atë vend. Dhe ndërkohë që live këtej në Opinion, Fevziu me kostum e kravatë nxiste deri vonë sherrin e panelit me policinë, live andej në kufirin e Venezuelës policia e kthente mbrapsht Fevziun me këmishë me lule e kapele kashte, duke e konsideruar një demokrat shumë fanatik për të vizituar atë narkodiktaturë shumë krenare.
Kjo shaka e mbështetur në fakte reale, ishte goxha më shumë se gjysma e të vërtetës dhe nuk kishte absolutisht qëllim të nxirrte ndonjë inat të paprecedent jashtë çdo standarti demokratik me Blendi Fevziun, sepse është liria e tij të shkojë ku të dojë dhe e drejta e TV Klanit që ta transmetojë Opinionin live në mungesë të Fevziut.
Por nëse Fevziu e do fare seriozisht këtë temën idiotike të kasetave, e po të dojë edhe të udhëtimeve jashtë shtetit të ministrave natyrisht, atëherë dihet botërisht, unë jam gjithnjë i tiji, gati për t’u përballur me opozitën e vetme që ka mbetur pa dalë krejt mendsh e boje në këtë vend – pavarësisht lajthitjeve të teketukshme live si kjo e 7 ministrave, të cilat kanë edhe anën e tyre humoristike
***Bashkëngjitur 6+1 udhëtimet e Blendit