“Edhe të dorëhequrit e të larguarit, rikthehuni në LDK” – thirrja e Abdixhikut pasi i mbijetoi votëbesimit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, foli pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Punës, duke vlerësuar procesin si shembull të demokracisë brendapartiake. Ai tha se partia ka arritur të realizojë maksimumin e mundshëm në një proces të tillë dhe falënderoi delegatët për pjesëmarrjen aktive, transmeton lajmi.net. Në deklarimin e tij të parë…

Lajme

31/01/2026 19:45

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, foli pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Punës, duke vlerësuar procesin si shembull të demokracisë brendapartiake.

Ai tha se partia ka arritur të realizojë maksimumin e mundshëm në një proces të tillë dhe falënderoi delegatët për pjesëmarrjen aktive, transmeton lajmi.net.

Në deklarimin e tij të parë pas mbylljes së punimeve, Abdixhiku tha se më shumë se kaq një parti politike s’mund të bëjë. Ai gjithashtu njoftoi se gjatë kuvendit janë miratuar dy deklarata: njëra mbi gjendjen politike në vend dhe tjetra mbi organizimin e LDK-së.

Riorganizimi i partisë do të nisë shumë shpejt në të gjitha degët dhe nëndegët, me fokus te përfshirja e të gjithë anëtarësisë dhe forca e bashkëpunimit brenda LDK-së.

“Jam mirënjohës i mbështetjes së vazhduieshme, por edhe kundërshtimeve në këtë procees. Zotohem se do t’i afroj të gjithë”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se mbështetja e sotme është jo vetëm privilegj dhe përgjegjësi, por edhe barrë për rrugën që ka përpara LDK-ja.

“Mbështetja e sotme është privilegj dhe përgjegjësi, por mbi të gjitha barrë për rrugën që ka përpara LDK-ja. Kjo rrugë përpara quhet rimëkëmbje, dhe nuk bëhet me natyrën e fituesit ose humbësit, por bëhet me përafrimin e anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve pa dallim, edhe ata që kanë qenë të kënaqur me mua, por në veçanti ata që s’kanë qenë, edhe ata që kanë mbajtur funksione të larta, të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë së LDK-së. Jemi pak, prandaj kemi nevojë për të gjithë, do të punojmë ta kemi secilin”.

“U bëj thirrje të gjithëve edhe një herë, edhe të dëshpëruarit, të larguarit, të dorëhequrit ose jo, të kthehen në shtëpinë e tyre politike në funksion të plotë politik, dhe besoj se do të gjejnë hapësirën e vet. Askush nuk do të jetë mbi anëtarësinë, e as kryetari”, deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku./lajmi.net/